Shefi i Njësisë së Trafikut Rrugor në Prishtinë, Vedat Zuka, ka njoftuar se policia ka hartuar një plan operativ për parandalimin e përdorimit të telefonit gjatë vozitjes, duke theksuar se ky fenomen është shkaktar i rreth 50% të aksidenteve në trafik.
Zuka pohoi se përdorimi i telefonit gjatë vozitjes është një rrezik serioz për jetën e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
“Njësia e trafikut rrugor të Prishtinës e kemi të hartuar një plan operativ në lidhje me parandalimin e përdorimit të telefonit gjatë vozitjes, telefoni është jashtëzakonisht i rrezikshëm gjatë vozitjes. Aksidentet me për 50 për qind shkaktohen nga përdorimi i telefonit, policia është aktivizuar kemi hartuar planin operativ, dhe bëjë apel të gjithë vozitësve mos ta përdorin telefonin, mos të shkaktojnë probleme”, ka thënë Zuka.
Ai shtoi se vetëm të dielën janë shqiptuar afër 60 gjoba për këtë shkelje në kryeqytet brenda një dite.
“Vetëm ditën e diel janë shqiptuar afër 60 gjobave për përdorim të telefonit , po flas vetëm në kryeqytet pa pjesët tjera përreth e qytetet tjera. Arsyet janë disa të aksidenteve të natyrave të ndryshme por në mesin e arsyeve janë edhe përdorimi i telefonit. Mund të them se muajt e fundit jemi aktivizuar për shkak të shtimit të numrit të madh të aksidenteve gjatë përdorimit të telefonit”, ka theksuar për Ekonomiaonline.
Policia apelon te të gjithë vozitësit që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe të kontribuojnë në sigurinë rrugore.