Presidentja Vjosa Osmani ka folur për vizitën jozyrtare të kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut.
Në tubimin e organizuar për Kurtin, disa persona mbajtën në dorë edhe një flamur “Autoctonus”, gjë e cila çoi në reagime nga krerët e shtetit fqinj me akuza për nacionalizëm.
Osmani tha se nëpër tubime të tilla s’mund të kontrollohen çka mban në duar secilin qytetar, por tha se nëse Maqedonia e Veriut ka ndonjë shqetësim atëherë atë ta adresojë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
“Në tubime askush nga organizatorët nuk e kontrollon çdo qytetar se çka ka në dorë – kjo është si parim – por natyrisht që nëse institucionet e Maqedonisë së Veriut kanë ndonjë shqetësim, e vetmja kërkesë që ne kemi si institucione të Republikës e Kosovës është që gjithçka të bëhet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së komuniteteve joshumicë dhe duke respektuar gjithnjë rolin shtetformues që komuniteti shqiptar ka pasë në ndërtimin e shtetit të Maqedonisë së Veriut, në integrimin europian të Maqedonisë së Veriut dhe këtë rol të jashtëzakonshëm pozitiv vazhdon ta luajë dhe këtë e dinë të gjitha institucionet të Maqedonisë së Veriut”.
Osmani tha se beson se kjo është një keqkuptim i vogël që kur kanë vullnet të dyja palët siç është dëshmuar gjithnjë tejkalohet, “duke e ditur që të gjitha institucionet e Kosovës janë të interesuara vetëm e vetëm për relacione pozitive, gjithnjë në rritje”.
Pas tubimit të Kurtit në Tetovë, u bë e ditur se zyra e kryeministrit maqedonas ka kontaktuar edhe ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut lidhur me shfaqjen e flamurit “Autoctonus”.
Ajo njoftoi se për këtë ka pyetur në ambasadë nëse kanë pranuar diçka zyrtare.
“Si udhëheqëse e politikës së jashtme kam kërkuar nga ambasada mos kanë pranuar diçka zyrtarisht dhe deri tash nuk ka diçka të tillë dhe siç e përmenda këtë e shoh si diçka që ka qenë lëvizje e një qytetari, por jo diçka institucionale e organizuar. Është me rëndësi që prioritet mbi prioritetet e kemi përmirësimin e relacioneve të dy shteteve që nuk kemi pasë ndonjëherë keqkuptim në të kaluarën”.
Osmani tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte të shkëlqyeshme, të cilat duhet të avancohen edhe më tej.
“Një prej fqinjëve më të çmuar të Kosovës, një ndër shtetet që e ka njohur pavarësinë e shtetit tonë në momentet më kritike, një shtet që për nga largësia gjeografike e kemi më së afërmi, për më pak se një orë jemi atje, prandaj edhe komunikimi mes qytetarëve tanë dhe atyre të Maqedonisë së Veriut gjithnjë ka qenë i shkëlqyeshëm dhe këto relacione janë duke u avancuar dita-ditës”.
Presidentja, nga Dragashi ku po zhvillon një vizitë, shtoi se shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut shërbejnë si urë-lidhëse mes dy vendeve.
“Shqiptarët që jetojnë atje janë një urë lidhëse jashtëzakonisht e fuqishme në këtë drejtim dhe jo vetëm nëpërmjet përfshirjes në institucione, por edhe në çdo fushë të jetës”.