3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Shkup: Partitë nisin fushatën ende pa u shpallur zgjedhjet

Ende pa u caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë nisur fushatën elektorale me mbështetësit e tyre.

Zgjedhjet për Kuvendin e ri prej 120 deputetëve dhe presidentin e shtetit duhet të mbahen vitin e ardhshëm. Mirëpo, data për mbajtjen e tyre do të caktohet më së voni në dhjetor, bazuar në paralajmërimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Presidenti zgjidhet në votime nga qytetarët në dy runde zgjedhore, por opozita kërkon që rundi i dytë të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare dhe nëse për këtë pajtohen edhe partitë në pushtet, atëherë si data të mundshme janë 5 ose 8 maji i vitit të ardhshëm.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka thënë se nëse partitë nuk merren vesh deri në dhjetor, atëherë ai në fund të këtij muaji do të shpallë datat për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Pavarësisht kësaj, opozita maqedonase – e cila në të gjitha anketat shihet si favorite për të fituar zgjedhjet – tashmë ka nisur tubimet me elektoratin e saj duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje.

VMRO DPMNE-ja synon të fitojë gjysmën e mandateve për të bërë, siç thotë “reforma serioze në vendin e gjunjëzuar, shkatërruar dhe grabitur nga partitë në pushtet”.

“Neve na duhet një reformë serioze sepse Maqedonia është në gjunjë, e shkatërruar, e grabitur. Prandaj, është e nevojshme që koalicioni i udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja të fitojë 61 ulëse (deputetë). Luftojmë për 61 deputetë, fitorja është e sigurt”, ka thënë kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, në një tubim të kësaj partie në qytetin e Prilepit.

Për gjendjen në Maqedoninë e Veriut lidhur me krimin, korrupsionin, humbjen e besimit në gjyqësor dhe çështje të tjera, Mickoski ka akuzuar partitë në pushtet, në veçanti Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI). Ai ka thënë se me BDI-në nuk do të ketë asnjë koalicion pas zgjedhjeve.

Nga BDI-ja, ndërkohë, akuzuan VMRO DPMNE-në për nxitje ndëretnike.

“Kjo mënyrë e nxitjes së urrejtjes ndëretnike që më pas të shfrytëzohet për pikë politike, është tepër e rrezikshme për një demokraci shumetnike, siç është Maqedonia e Veriut. VMRO-së do t’i them se derisa të jetë BDI-ja dhe Ali Ahmeti, shqiptarëve nuk do t’u mungon asnjë fije floku”, ka thënë nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme.

Ndërkohë, tri partitë opozitare shqiptare kanë zyrtarizuar bashkimin e tyre në një koalicion të quajtur “Fronti Evropian për Ndryshim”.

Drejtuesit e Lëvizjes Besa, të partisë Alternativa dhe të Lëvizjes Demokratike, thanë në një tubim në Shkup se ky koalicion “do të bëjë ndryshimin te shqiptarët në drejtim të luftimin të krimit, korrupsionit, papunësisë dhe varfërisë”.

Synimi i koalicionit thuhet të jetë përshpejtimi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut në BE

“Ky koalicion i bashkuar shqiptar mbetet i palëkundur në angazhimin e tij për integrimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë kompromis me këtë, pasi shpesh e kemi thënë se vetëm integrimi në BE nuk ka alternativë”, ka deklaruar Afrim Gashi nga Fronti Evropian për ndryshim.

Por, ai gjithashtu ka thënë se opozita shqiptare nuk do të heqë dorë nga kërkesa për ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, ku definohet si gjuhë që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, raporton REL.

Partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate dhe BDI-ja, aktivitetet e tyre i kanë përqendruar në prezantimin e projekteve në infrastrukturë dhe premtimin për “përshpejtimin e integrimit evropian”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img