1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Shkruan Berat Buzhala: Dueli Kurti – Thaçi dhe komedia me LDK’në

Nëse Presidenti Thaçi, përmes një sabotazhi, do ta arrijë ta bindë LDK’në që ta përkrahë si lider të Ekipit të Unitetit, kjo do të ishte komedia e kësaj dekade. LDK, që po priste t’i fitonte zgjedhjet, kurdo që ato do të mbaheshin, do të shndërrohet në material nacional për tallje publike. Nuk do ta shihte me sy fitoren.

Politika e Kosovës, jeta e jonë, ajo e fëmijëve tanë, në 10 vitet e fundit kontrollohet, në masën më të madhe, prej dy personaliteteve të fuqishme politike: Hashim Thaçit, nga majat e pushtetit, dhe Albin Kurtit, nga opozita.

I pari e përcakton të ardhmen tonë përmes veprimeve ekzekutive, fillimisht si Kryeministër e tash edhe si President, kurse i dyti duke e mbajtur të parin në pushtet përmes metodave të gabuara të përdorura prej tij për ta rrëzuar atë nga pushteti – po shpresojmë e gjitha kjo padashje.

Dikush mund të thotë që nuk ishin metodat e gabuara të Kurtit ato që e mbajten Thaçin në pushtet, por ishim ne ata, pra mediat, shoqëria civile që e bën këtë gjë. Ta zëmë që “dikushi” ka të drejtë këtu deri në njëfarë dore, por pyetja që shtrohet është kjo: A do të thotë që Kurti, marrë parasysh këto rrethana, nuk do ta rrëzoka kurrë Thaçin nga pushteti?

Për shkak të kësaj situate absurde, kushdo që e merr guximin për të bërë një analizë se cili prej këtyre të dyve ka përgjegjësi më të madhe për gjendjen në vend, do të pendohej pas pak kohësh. M’i nda s’i m’i vra!

Reagimet e forta të Kurtit, dhuna e nxitur prej tij, thirrjet për revolucion dhe përmbysje të pushtetit me mjete jodemokratike, koktejet e molotovit, zollat në objekte shtetërore, gjatë gjithë kësaj kohë e kanë dhënë efektin e kundërt, me atë se çfarë ka dashur autori të thotë. Metodat e përdorura nga ai, gjuha e përdorur prej tij, i kanë frikësuar të gjithë. Edhe mua. A ia vlen të zëvendësohet një politikan i komprometuar financiarisht dhe moralisht, si Thaci, me një person të NDERSHËM, por ideologjikisht të rrezikshëm, si Kurti? Pra, ne që jemi diku në mes, që nuk kemi asnjë interes personal as për Kurtin e as për Thaçin, si duhet të vendosim? Një hajn i parrezikshëm, a një njeri i ndershëm por enigmatik? Cilit t’i besojmë?

A na duhet një zëvendësim i tillë?

Shtrohej pyetja: a më mirë të vazhdojmë të jetojmë në një thatësirë totale, apo të kërkojmë dhe të lutemi që thatësira të merr fund me cdo kusht, madje, nëse është nevoja le të reshin kokrra të breshërit sa grushti të mëdha.

Thaçi e ofron thatësinë vrasëse, kurse Kurti shpëtimin përmes breshrit. Thaci është shndërruar në një padrino të çdo gjëje, përmes kontrollit të bizneseve kryesore në vend, kurse alternativa e Kurtit është që të shndërrohet në një komisar që do t’i kontrollonte gjithashtu të gjitha këto biznese, kuptohet në një mënyrë dhe shkollë tjetër.

Nëse nuk besoni që kjo është kështu sic po them unë, atëherë hidhjani një sy skenës aktuale politike. Shikojeni se në cfarë gjendje është ajo. Nuk ka POR dhe nuk ka NËSE. Gjërat janë pothuajse bardh e zi. Për këtë periudhe kohore për të cilën po flasim, përveç këtyre dyve, të tjerët politikanë në vend, prej kur ka vdekur Ibrahim Rugova, e kanë pasë vetëm një rol: herë të rreshtohen me njërin, e herë më tjetrin.

Sa herë e kemi parë Ramush Haradinajn dhe Isa Mustafën duke kaluar nga njëra skuadër të skuadra tjetër? Disa herë në dekadën e fundit. Herë bëheshin VLAN, herë bëheshin PAN. Ndodhte që brenda disa javësh të bëheshin edhe VLAN edhe PAN.

Kurse, nëse flasim filozofikisht si LVV, gjatë gjithë kësaj kohe i kemi pasë dy KONSTANTE: njëra PDK, respektivisht Thaci, si forca e vetme që garanton pushtet dhe bollek për rrethin e tij grabitqar, dhe tjetra konstante LVV, që garanton, opozitë dhe skamje. Kështu ishte deri para disa javësh, kur LVV u ça në dy pjesë. Albin Kurti doli jashtëzakonisht i lënduar, dhe i përgjakur, nga beteja e tij e brendshme. E çau organizatën në dy pjesë. Një ndodhi e tillë e ia hapi rrugën Lidhjes Demokratike të Kosovës që të kalojë në pole position, duke krijuar kushte interesante politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. LDK si parti kryesore opozitare, që synon ta marrë pushtetin, është vazhdimisht opsion shumë më real për të fituar, për të ndërtuar koalicione të mundshme – mundësisht jo me PDK!- se sa është për shembull LVV.

Ky zhvillim, madje, u duk shumë i mirë për të qenë i vërtetë. Shto këtu faktin që LDK po shkonte drejt zgjedhjeve të brendshme, që ndoshta do të sillnin një frymë të re, një entuziazëm politik, për të bërë ndryshime.

Mirëpo, për të prishur çdo ëndërr të bukur përkujdeset (kush tjetër) Presidenti Thaci. Ky, bashkë me faktorin ndërkombëtar, janë mobilizuar për t’i dhënë fund zgjidhjes FINALE të çështjes së Kosovës, përmes një ulëseje në OKB. Një ide e tillë, mjaft e lakmueshme për Bashkimin Evropian, prapë i ka ngritur dallgët në skenën tonë politike.

Logjika që po dominon javëve të fundit është kjo: Hashim Thaci është President, prandaj atij i takon e drejta politike dhe historike ta udhëheqë këtë proces, sepse edhe në Serbi procesin do ta udhëheqë Aleksandër Vucic. Mirëpo nuk qëndron ky paralelizëm, do të thoshim ne. Kush po të pyet, ulu aty. Haradinaj dhe Veseli nuk kanë të drejtë as te mendojnë për këtë cështje, sepse mendon Thaci edhe për ta. Domosdoshmërish, sikur që mund të pritej, presioni rritet mbi LDK’në që ta bëjë edhe një “sakrificë” për Kosovës, kur një gjë e tillë më së paku i duhej Kosovës.

Duke e thyer LDK’në, në shprehje vjen Albin Kurti, i cili i thotë JO çfarëdo uniteti të spektrit politik, duke qëndruar, prapë, forca e vetme serioze politike që nuk i nënshtrohet diktatit dhe tekeve të Thaçit.

Fillimisht, një skenar i tillë nuk duket aq tragjik. Për shoqëri normale madje është skenar normal. Por ne nuk jemi shoqëri normale. Thaçi nuk është President normal. Është shumë larg nga të qenurit normal. Është edhe më larg nga të qenurit unifikues. Rreth tij asgjë nuk është unike e as e unifikuar. Pasojat e një yryshi për ta bërë patjetër një ekip të unitetit, me Thacin në krye të tij, do t’i shohim pak më vonë.

Kurdoqoftë që do të mbyllet dialogu me Serbinë, Kosova, sipas gjuhës së Thaçit, do të detyrohet të bëjë kompromise të DHIMBSHME. Për shkak të këtyre kompromiseve Kosova e fiton një ulëse në OKB. Marrëveshjen HISTORIKE do ta nënshkruajë Presidenti Thaci. Këtë marrëveshje do ta kundërshtojë i vetëm Albin Kurti. Ai do ta quaj atë tradhti historike, sepse sipas tij Kosova ka dhënë shumë më shumë se sa ka marrë.

E gjithë kjo cfarë thash më sipër është hipotetike. Mirëpo nëse e kthejmë kokën vec pak mbrapa, ne e shohim se nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Për fatin tonë të keq, e vetmja forcë që do të mund ta ndryshonte këtë trajektore do të ishte LDK, duke mos u bërë pjesë e ekipit të Thacit, por tashme ky subjekt politik ngadale, por me hapa të sigurtë, ka filluar ta përgatis terrenin për t’u bërë patericë e tij, vazhdimisht duke përdorur arsyetime të njohura si “interesi i Kosovës”.

Dialogu me Serbinë, mbyllja sa më shpejt e probleme të hapura, është gjëja e duhur për t’u bërë, mirëpo jo sipas kushteve të Thacit. Nëse Thaci dëshiron që ta udhëheqë dialogun, ai le të bëjë këtë, por jo përmes një konsensusi nacional. Për cfarëdo marrëveshje që ai do ta arrijë le të mbahet përgjegjës, për të mirë a për të keq. Ndërsa, nëse Thaci më patjetër e ka të rëndësishme që ta shpërndajë përgjegjësinë, duke i futur në ekip të unitetit gjithë klasën politike, atëherë ai nuk mundet që gjithashtu të kërkojë që të jetë edhe udhëheqës i tyre.

Është gabim i madh që e gjithë skena politike, përvec LVV së Kurtit, t’i rreshtohej mbrapa njërit prej politikanëve më të komprometuar dhe me reputacionin më të ultë në vend. Të gjitha ata që do të rreshtoheshin në krah të tij, posacërisht LDK, do t’i ekspozohej një radioaktiviteti fatal. Është e pamundur që për muaj të tërë të bëhesh pjesë e ekipit të Thacit, e gjatë zgjedhjeve të distancohesh më të, të akuzosh atë, dhe rrethin e tij, si zaptues të Republikës së Kosovës. Të drejtën për ta përdorur këtë gjuhë, pastaj, qytetarët do t’ia pranojnë vetëm Albin Kurtit. LDK në asnjë rrethanë – mos e dëgjoni se cfarë thotë Lutfi Haziri – nuk do të mund ta ruaj primatin e partisë kryesore opozitare. Këtë titull, pas shumë turbulencave, pas shumë humbjeve, do ta rikthejë LVV dhe Kurti.

Është mjaft ironike që Thaci përmes idesë së zgjidhjeve të probleme me Serbinë ta bëjë, njëkohësisht, edhe ristrukturimin e skenës politike në Kosovë. Ai përmes Kalit të tij Trojës së tij në LDK, z. Lutfi Hazirit & Co,  do të arrijë ta dëmtojë pariparueshëm LDK’në, si alternativën e vetme serioze për të qeverisur vendin, do t’i prijë dialogut final me Serbinë, duke mos i dhënë askujt llogari për asgjë, dhe do ta rikthejë duelin e tij të preferuar me Albin Kurtin, liderin e mallkuar për të mos qeverisur kurrë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img