-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

“Shkrim për opinion publik, në pamundësi të polemizimit me një mediokër politik”, Baton Haxhiu i përgjigjet Faton Pecit

Gazetari Baton Haxhiu i është përgjigjur ministrit Faton Peci, i cili si bashkëkryetar në partinë që e themeloi Vjosa Osmani, Guxo, i kishte reaguar më herët Haxhiut për një shkrim të tij për presidenten Osmani.

Haxhiu thotë se i ka vetëm dy arsye pse e shtynë që të reagojë për deklarimin e Pecit, për të cilin tha se është një krijesë politike e lindur nga mbarsja e tradhtisë politike ndaj LDK-së me oportunizmin politik të Partisë Vetëvendosje, të Albin Kurtit.


|Më duhet po ashtu të them që paragrafët e mëposhtëm janë veçse reagim përmbajtjesor ndaj Vjosa Osmanit dhe assesi përgjigje në patetizmin e Faton Pecit. Në përballjet e saj publike, pasojë e gabimeve të njëpasnjëshme, Vjosa Osmani ka krijuar shprehinë e shëmtuar të vetëmbrojtjes përmes ndërsimit të shërbëtorëve të saj, ndaj secilit që ia prish projeksionin e madhështisë. Faton Peci, Blerim Vela, Haxhi Avdyli, Donika Gërvalla e Jeta Statovci, janë veç disa nga pseudonimet që ajo përdor, për të sulmuar personalitete nga politika, shoqëria civile dhe bota e medias”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu tha se më herët presidentja e ka përdorur edhe burrin e saj për këtë funksion, por se tashmë ai është i papërshtatshëm.

Dikur, presidentja përdorte burrin, sjelljet dhe shprehjet e të cilit e bëjnë të padenjë për ta quajtur zotëri, aq më pak zotëri i parë. Për shkak të skandaleve që krijonte sa herë nxirrte fjalë nga goja, emri i tij nuk ishte më i përshtatshëm, madje as minimalisht i përdorshëm, në proxy-luftën e presidentes me të gjithë”.

“Më duhet të them që, e kam krejtësisht të qartë se polemika personale me një mediokër politik çfarë është Faton Peci, nuk është aspak punë e vyer. Por, duke qenë ai, një nga përfaqësuesit më tipik të mjerimit moral dhe intelektual të kësaj kaste qeverisëse, përgjigjja bëhet e domosdoshme. Në rrafshin moral, Peci është nënprodukt i shndërrimit të LVV-së në lavatriçe politike, në të cilën pastrohen horrat e të gjitha regjimeve, taksa e të cilëve, për këtë shërbim, është t’i shërbejnë besnikërisht dhe pa mëdyshje Albin Kurtit. Po të kthehemi pak vite pas, në zgjedhjet e vitit 2017 për shembull, mund ta shohim Fatonin teksa shan e nëm PAN-in e LVV-në, të cilët i akuzonte për çdo të keqe që mund t’i ketë ndodhur vendit, dhe duke lartësuar LDK-në, si të vetmen parti shtetformuese”.

Peci mbrëmë ka shkruar se deklarata e Haxhiut, i cili tha se Vjosa Osmani është “një produkt njëpërdorimësh në politikën e Albin Kurtit” pas deklaratës së fundit që bëri Osmani ndaj presidentit francez Macron për çështjen e vizave.

“Lotët e krokodilit Baton – Vreri të cilin e paske zbrazur Baton Haxhiu ndaj Presidentes Osmani është dëshpërim për një kohë që nuk është më, për shokët, të cilët nuk janë më dhe të cilët dikur të mbanin si pëllumb. Baton, ke humbur moti nga skena publike, kam pas bindjen në mos je në ndonjë vend ekzotik duke shijuar mish korokodili, apo duke vizituar fiset indigjene. Megjithatë, jo. Me gjasë, të kanë braktisur!”, kishte shkruar dje Peci për Haxhiun.

Për këtë, gazetari Haxhiu në shkrimin e sotëm thotë se përfundimi që ka nxjerrë Peci “se unë paskam humbur nga jeta publike, në një kohë kur jo vetëm shkruaj çdo ditë, por edhe angazhohem si pronar mediumi dhe komentator politik, në Kosovë e Shqipëri, është i papranueshëm në dy rrafshe”.

“Nëse ka pasur për qëllim nënçmimin, atëherë shpalos prirjen për ta ofenduar tjetrin, në mungesë të argumenteve bindëse politike. Nëse ka qenë përpjekje për të ulur rëndësinë e fjalës time publike, atëherë është shqetësuese se si një ministër merret me një figurë të parëndësishme publike. Përtej të dyjave, në thelb ai tregon prirjen e qeverisë për ta sulmuar dhe diskredituar median”, thotë ndër të tjera Haxhiu. /Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img