Kryetari i Kryqit të Kuq në Bejrut ka thënë se numri i përgjithshëm i viktimave të shpërthimit të fuqishëm në Bejrut ka shkuar në 100 dhe më shumë trupa të pajetë ndodhen ende nën rrënoja.
George Kettaneh i tha televizionit LBCI përmes telefonit se Kryqi i Kuq është duke u koordinuar me Ministrinë e Shëndetësisë për marrjen e trupave të pajetë për shkak se spitalet janë të stërngarkuara, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Për më tepër, rreth katër mijë persona u lënduan nga shpërthimi masiv që ndodhi në një depo dhe e dridhi kryeqytetin e Libanit.
Shpërthimi i së martës ishte më i fuqishmi në vitet e fundit në këtë qytet, që tashmë po vuan nga kriza ekonomike dhe rritja e numrit të rasteve të koronavirusit.
Presidenti i vendit, Michel Aoun, tha se 2,750 tonë nitrat i amoniumit, që përdoret në fertilizatorë dhe bomba, ka qenë i vendosur në depon e portit për gjashtë vjet pa masa sigurie, duke shtuar se një gjë e tillë është e papranueshme.
Ai e ka thirrur një takim emergjent të kabinetit për të mërkurën. Zyrtarët shtetërorë nuk kanë treguar se çfarë saktësisht e shkaktoi shpërthimin shkatërrues.
Ky shpërthim i ngjalli kujtimet e luftës civile të viteve 1970-1990 dhe pasojat e saj, kur libanezët kishin përjetuar bombardime të rënda, shpërthime veturash dhe sulme ajrore nga Izraeli.