Shkolla fillore “Meto Bajraktari” hapi dyert të hënën.
Por, në të patën mundësi të hynë vetëm punëtorët të cilët po e rinovojnë këtë shkollë.
Në këtë gjendje u pa kjo shkollë e kryeqytetit vetëm pak ditë para se të fillojë viti i ri shkollor.
Por, pavarësisht kësaj nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës, thonë mësimi në të, do të nis me 1 shtator.
“Nuk ka me pas shtyrje të fillimit të vitit shkollor në asnjë shkollë të kryeqytetit. Në shkollat të cilat mund të vazhdojnë punimet edhe pas datës 1 shtator ne do të sigurohemi që punimet të mos e pengojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor”, drejtoresha e Arsimit në kryeqytet, Besianë Musmurati.
Të bindur se do të gjendet një zgjidhje, janë edhe në Këshillin e Prindërve.
“Shkollat janë në rinovim, por mund të bëhet zgjidhje që mësimi të fillojë më 1 shtator. Në rastet e kaluara kur shkollat kanë qenë në rinovim, është bërë zgjidhja që (nxënësit) të shkojnë në shkollat e tjera. Fëmijët nuk kanë mbetur pa shkuar në shkollë”.
Shkolla fillore “Meto Bajraktari” është në mesin e pesë shkollave, në të cilat po kryhet rinovim i tërësishëm.
Punime të tilla po kryhen edhe në shkollën fillore “Naim Frashëri”, “Gjergj Fishta”, “Hoxhë Kadri Prishtina” dhe “Gjin Gazulli”.