KF Shkëndija është eliminuar në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut nga Makedonija Gjorçe Petrov.
Eliminimi i Shkëndijës erdhi nga penaltitë, pasi loja e rregullt u mbyll me rezultatin e barabartë 1:1.
Shkëndija arriti të kthehet nga dizavantazhi prej 0:1 dhe dominoi gjatë gjithë ndeshjes, megjithatë ishte e pafat në ekzekutimin e penaltive.
Çinari dhe Doriev ishin të pasaktë në gjuajtjen e penaltive, seri e cila u mbyll me rezultatin 4:3 në të mirë të Makedonija Gjorçe Petrov.
Ndërsa në gjysmëfinalen tjetër, KF Struga ka bërë histori duke u plasuar për herë të parë në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë. Pasditen e sotme, në një gjysmëfinale interesante, ata kanë arritur të mposhtin Silekin me 1:0 dhe kanë shkruar në histori.
Goli i fitores ishte vepër e Nezirit në minutën e 64-të.
Dy vite më parë Sileksi fitoi në gjysmëfinale në Strugë, ndërsa sot ishte si një hakmarrje.
Struga pati më shumë raste, sidomos në pjesën e parë kur Maleski dhe Pere nuk arritën të mbushnin rrjetën e Sileksit.
Struga në finale do të takohet me Makedonija Gjorçe Petrovin, ndërsa ekipi strugan edhe në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut është në vendin e parë me pesë pikë epërsi nga vendi i dytë, që është Shkëndija.