Site icon PrishtinaPress

Shkencëtarja e kardiologjisë nuk pranohet si ligjeruese në UP, thotë se konkursi u kurdis

Është e njohur botërisht për punën e saj në fushën e mjekësisë, por Ibadate Bytyqi, e cila është shpallur shkencëtare botërore e Kardiologjisë, me tërë sukseset e arritura ndër vite, është refuzuar që të ligjërojë në Universitetin e Prishtinës.

Bytyqi ka aplikuar në dy konkurset e hapura për profesor në Fakultetin e Mjekësisë më 31 maj të këtij viti për lëndët: Mjekësi familjare e fiziologji patologjike.

Ajo tha për televizionin publik se kandidatët po përzgjidhen më herë. Derisa ka ngritur dyshime për parregullsi në këtë konkurse, publikuesja e shumë punimeve shkencore në botë, ka thënë se përvoja e saj e punës nuk i është llogaritur mirë.

Por nga Fakulteti i Mjekësisë kanë thënë se vlerësimet e kandidatëve janë bërë nga komisionet recensuese, dhe se ankesat do të shqyrtohen tek në shtator.

Pas daljes në buletin të raporteve recensuese të këtyre pozitave, të gjithë kandidatët që nuk janë propozuar për zgjedhje në pozitën prof. ass., kanë të drejtë të bëjnë ankesë.

Televizioni ka kërkuar një qëndrim edhe nga anëtarët e këtyre komisioneve, por të cilët kanë thënë shkurt se duhet t’i referohemi raportit recencues dhe vlerësimit të bërë nga komisioni.

Ndërkaq, pretendimet e Bytyqit për parregullsi i ka mohuar kandidatja e cila është propozuar për përzgjedhje nga komisioni për pozitën e profesoreshës në lëndën fiziologji patologjike.

“Vlerësimi është bërë nga komisioni recensues, i cili është më kompetent se vetëvlerësimet tona në rrjetet sociale. Bazuar në rregulloren në fuqi të UP-së, kam përmbushur, madje edhe tejkaluar kërkesat për thirrjen profesor asistent për disa vjet. Megjithëse jam fëmijë i dy profesorëve ( Hasime dhe Cen Bytyqit), karriera ime është e ndërtuar në baza të forta të meritokracisë dhe jo në familjarizëm. Këtë e dinë të gjithë ata që më njohin, duke përfshirë edhe dr. Ibadete”, tha Bytyqi.

Nga Fakulteti i Mjekësisë kanë thënë se vetëm pas shqyrtimit të të gjitha ankesave, do të bëhen propozimet e kandidatëve për pozitat përkatëse.

Exit mobile version