Ministria e Ekonomisë ka zgjedhur të heshtë lidhur me gjobën 3.2 milionëshe që Zyra e Rregullatorit të Energjisë i shqiptoi Korporatës Energjetike të Kosovës, lidhur me shkeljet e kësaj ndërmarrje. Nga ky institucion kanë thënë se të gjitha pyetjet për këtë çështje, duhet t’i drejtohen ZRRE’së.
Saktësisht, Gazeta e ka pyetur ME’në nëse ka qenë në dijeni se KEK po tregton energji me ndërmarrje të palicencuara dhe çfarë ka bërë për ta ndalur këtë aktivitet.
“Pyetjet e drejtuara nga ana juaj duhet të adresohen tek ZRRE si institucion i pavarur dhe përgjegjës për çështjen, duke qenë që është përgjegjësi ekskluzive e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të bëjnë licencimin dhe të monitorojnë mbarëvajtjen e legjislacionit dhe rregullave në fuqi nga operatorët e tregut dhe aktivitetet e tyre biznesore”, thuhet në përgjigjet e ME’së.
Raporti i monitorimit i Zyrës së Rregullatorit për Energji lidhur me procesin e shit-blerjes së energjisë elektrike nga KEK ka nxjerr në pah shkeljet e shumta që ka bërë kjo ndërmarrje.
Për këto shkelje, ZRRE i ka shqiptuar KEK’ut gjobë në vlerë 3.2 milionë euro.
Se deri kur ka afat që ta paguajë kjo ndërmarrje këtë gjobë, s’dihet meqë vendimi s’është publikuar ende.
E para shkelje që renditet në këtë raport, lidhet me marrëveshjen për shkëmbimin/depozitimin e energjisë ë elektrike me Korporatën Elektroenergjetike të Shqipërisë (KESH).
Aty thuhet se KEK kishte kërkuar energji nga KESH edhe kur s’kishte pasur nevojë dhe më pas energjinë e pranuar e kishte ofruar në treg të lirë.
“KEK ka kёrkuar energji nga KESH edhe atёherё kur nuk ka pasur nevojё pёr FSHU dhe energjinё e pranuar nga KESH e ka ofruar nё treg tё lirё. Njё veprim i tillё bie nё kundёrshtim me Nenin 1 tё Marrёveshjes pёr shkёmbim/depozitim tё energjisё elektrike nё mes Korporatёs Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Korporatёs Energjetike tё Kosovёs (KEK)”, thuhet në Raportin e Monitorimit të ZRRE.
Gazeta Express ka pyetur në KEK lidhur me arsyet pse është vepruar kështu, por s’ka marrë përgjigje. Për gjetjet e ZRRE’së, kanë heshtur edhe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.
Në pyetjet e gazetës nëse kanë komunikuar me KEK’un për këtë çështje dhe se a do ta vazhdojnë marrëveshjen edhe pas kësaj shkelje, KESH s’ka kthyer përgjigje.
Në raport figurojnë edhe shkelje të tjera, të cilat kanë ndikuar në shqiptimin e gjobës 3.2 milionëshe nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Sipas ZRRE, KEK ka tregtuar dhe vazhdon të tregtojë energji elektrike me ndërmarrje që s’kanë qenë të licencuara nga autoritetet kosovare, siç është kompania “Holding Slovenske Elektrarne d.o.o”.
“Lidhur me kёtё, ZRRE ka reaguar disa herё pёrmes e-mail-it zyrtarsi dhe me shkresё zyrtare, ku ka kёrkuar mga KEK qё tё veproj nё pajtim me obligimet ligjore tё cekura mё lartё, dhe tё ndaloj aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё pa licencuara.
Pёr mё tepёr, ZRRE me datё 19.08.2022, ka monitoruar procesin e tregtimit tё energjisё elektrike nё kohё reale, dhe ka vërejtur se pavarёsisht vёrejtjeve dhe kёrkesave tё ZRRE pёr ndalimin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё palicencuara, KEK ende kryen aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike nё mos pajtueshmёri me obligimet ligjore”, thuhet në raport.
ZRRE ka gjetur parregullësi edhe te ankandet për shitjen e energjisë elektrike. Një prej gjetjeve është se KEK ka pёrsёritur procesin e shitjes sё energjisё elektrike edhe nё raste kur ka pasur oferta valide, si dhe se gjatё përzgjedhjes sё ofertave fituese nuk ka pёrdorur standard tё njёjtё tё pёrzgjedhjes nё tё gjitha rastet.
“1. KEK nuk e ka tё aprovuar procedurën e brendshme të bazuar në funksionin e tyre në treg. Bazuar nё kёtё, tregtimi i energjisё elektrike pa procedurё tё brendshme ёshtё nё kundёrshtim me nenin 2, par. 2 i Procedurёs sё Tregtimit tё Energjisё Elektrike. 2. KEK ka pёrsёritur procesin e shtijes sё energjisё elektrike edhe nё raste kur ka pasur oferta Valide. Njё veprim i tillё nga KEK ёshtё nё kundёrshtim me nenin 13, par. 1 i Procedurёs sё Tregtimit tё Energjisё Elektrike. 3. KEK gjatё përzgjedhjes sё ofertave fituese nuk ka pёrdorur standard tё njёjtё tё pёrzgjedhjes nё tё gjitha rastet. Bazuar nё kёtё, pёrzgjedhja e ofertave fituese nuk ёshtё bёrё nё pajtim me nenin 11 par. 10 dhe nenin 12 par. 1 dhe 3 tё Procedurёs sё Tregtimit tё Energjisё Elektrike. 4. Me nёnshkrimin e kontratave individuale me ndёrmarrjet, degёt e tё cilave nuk janё tё licencuara nё Kosovё, KEK nuk ka vepruar nё pajtueshmёri me neni 28, par.1 dhe par. 2 dhe neni 30, par.1 tё Ligjit pёr Rregullatorin e Energjisё, neni 32, par.3 tё Ligjit për Energjinë Elektrike, neni 2, par. 2.1.2, 2.1.3 dhe 2.1.6 tё Rregullave tё Tregut, neni 8, par. 1 tё Procedurёs pёr Tregtimin e Energjisё Elektrike”, janë gjetjet e ZRRE.
Në raportin e monitorimit përmendet si shkelje edhe shitja e energjisё elektrike pёr mbulimin e humbjeve në katër komunat veriore.
“KEK i shet energji elektrike KOSTT për mbulimin e humbjeve në Veri të vendit, nёn kushtet e marrёveshjes pёr mbulimin e humbjeve tё sistemit. Shitja e energjisё elektrike tek KOSTT për mbulimin e humbjeve nё Veri bie nё kundërshtim me procedurën e tregtimit të energjisё elektrike, pasi që nё procedurё pёrcaktohet që tregtimi i energjisё elektrike duhet tё i nënshtrohet tregut të lire dhe konkurrues”, thuhet në Raportin e Monitorimit.
Për të gjitha këto shkelje, Bordi i ZRRE’së në mbledhjen e fundit “ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro per Korporatën Energjetike të Kosovës”.