Site icon PrishtinaPress

Shkarkimet në Policinë e Kosovës – Hoxha përballet me akuza nga opozita, VV-ja e mbron

Me akuza e kundërakuza është përcjellë raportimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Anëtarët e këtij komisioni kërkuan informacione rreth transferimeve e ndryshimeve që janë bërë në njësinë e veçantë të hetimeve.

Derisa nga opozita ngritën akuza se këto lëvizje janë bërë për të fshehur për t’i fshehur “aferat korruptive”, por nga Policia e Kosovës u mohuan këto pretendime.

“Me shkarkimin e Shemsi Hazirit në krye të njësisë së veçantë të hetimeve erdhi Besim Berisha. Me ardhjen në krye të shefit të ri, në njësinë e veçantë të hetimeve nis një fushatë presioni. Në emër të strukturimit në njësi filloi një fushatë kundër atyre që po hetojnë aferat e qeverisë. Kemi rastin e Martin Berishaj e Nagip Krasniqit, disa janë në burg disa të akuzuar. Hetuesit janë duke u zhvendosur janë duke ardhur të tjerë. Kjo është e vërtetë. Unë nuk jam duke e akuzuar askënd. Veç le të thotë drejtori për ndonjërën që nuk është ashtu”, tha kryesuesi i komosionit, Bekë Berisha.

Por akuzat i mohoi i pari i policisë, Gazmend Hoxha.

“Nga cilësia e drejtorit ju njoftoj se nga kjo njësi nuk ka pasur largime apo transferime përveç major Shemsi Hazirit, i cili është transferuar në kuadër të reformave. Unë ju garantoj me gjithë autoritetin tim që katër lëvizjet që janë bërë, janë bërë me kërkesën e policëve. Nuk kanë pasur presion. Ju garantoj se shumica e kërkesave ka qenë për nevoja të tyre personale. Kjo njësi dikur ka pasur një shtesë prej 300 eurove e cila është ndaluar pastaj. Ndoshta edhe kjo është një prej çështjeve se pse policët kërkojnë të largohen nga njësia”, tha Hoxha.

Reagime pati edhe nga anëtarë tjerë të komisionit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka hedhur akuza në drejtim të kryetarit të komisionit, Bekë Berisha për krqpërdorim të pozitës së kryetarit.

“E shfrytëzove postin e kryetarit të komisionit, por asesi nuk është në rregull që të keqpërdoret pozicioni i kryetarit e komisioni ta humb komplet rolin për çka jemi. Nuk po e di tash momentalisht a jemi në gjykatë, gjyqtarë nuk po shoh këtu. E para herë që po ndodh në këtë Kuvend kur thirret një institucion kaq i lartë i drejtorit të policisë dhe i bëhen këso akuza direkte, të cilat nuk e di edhe prokurori a është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Dugolli.

Ai ka kërkuar që të kurset drejtori i policisë nga akuzat.

“Nuk është detyrë e komisionit të lëshohet në këtë nivel, e kam mirëpritur kërkesën për drejtorin. Ka pasur prononcime nëpër media publike ku janë potencuar emrat që i përmende ti këtu, e të cilët në pamundësi ta shfrytëzojnë të drejtën për me paditë sepse këtu ka akuza të rënda që më vjen keq që iu ka potencuar emri i tyre. Iu bëj thirrje që le t’i shohin nëpër media dhe t’i padisin. Është cenuar integriteti i tyre. T’iu kallëxojmë drejtorit si të vlerësohen policët. U leshu akuza që po vlerësohen dobët, po vlerësohen me nota të larta. Na e murëm rolin e drejtorit” është shprehur ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, kërkoi që prokuroria të merret me akuzat e ngritura në këtë mbledhje.

“Edhe unë kur jam nis për takim jam nis për natyrë tjetër të takimit duke besuar se do të flasim për çështje që kanë të bëjnë për performancën e Policisë nevojat e tyre. Kjo që u ngrit nga ju e ndryshoi natyrën e takimit. Është fakt se të gjitha që listuat ju mund të gjenden në media, në portale të ndryshme. Në kujtesë po na ktheni disa zhvillime e ngjarje të cilat nuk kanë epilog. Pajtohem me ju për të gjitha çështjet që ju ngritët dhe jam i interesuar me dëgju nga drejtori i Policisë, si i adreson të gjitha këto. Nëse këto qëndrojnë është shqetësuese, dhe do të duhej me u shqetësu edhe kolegët e mi deputetë. Nuk mundemi me kalu përtej këtyre pretendimeve dhe thjesht me hesht. Nëse këto qëndrojnë nuk është problem i Policisë por edhe i shoqërisë, shtetëror. Prokuroria do të duhej me u marrë ose me kryetarin për shpifje, ose me drejtorin për këto zhvillime”, tha Quni.

Exit mobile version