Site icon PrishtinaPress

Shkalla e papunësisë vazhdon të jetë shqetësuese, gratë më të prekura

Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK) ka publikuar Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë të vitit 2022. Bazuar në këtë publikim, papunësia në Kosovë në tremujorin e parë të vitit të kaluar, ndonëse kishte një rënie (16.6 për qind) krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2021, vazhdon të mbetet në shifra shqetësuese me gratë që kanë një shkallë më të lartë të papunësisë (18.9 për qind) se meshkujt (15.6 për qind).

Sipas të dhënave të ASK-së, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune, duke përfshirë moshat midis 15 dhe 64 vjeç. Sipas AFP-së, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 38.6 për qind, ndërsa shkalla e punësimit është 32.2 për qind.

Sa i përket gjinisë, punësimi më i lartë është te meshkujt me 46.6 për qind, ndërsa te gratë shifra është 17.9 për qind. Gratë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 46.4 për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 36.0 për qind.

Sipas njohësit të ekonomisë Edison Jakurti, Kosova ka arritur një sukses të rëndësishëm në ‘luftën kundër papunësisë’, pasi sipas tij, norma e saj ka arritur nivelin më të ulët që nga paslufta në 16.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022.

Megjithatë, ai në një postim në Facebook, ka shprehur shqetësimin e tij për numrin e madh të emigrimit të qytetarëve nga vendi, si një nga arsyet që kontribuojnë në zvogëlimin e numrit të papunësuarve.

Jakurti vlerëson se ky trend mund të ketë implikime serioze jo vetëm për tregun e punës, por edhe për ekonominë në tërësi në një periudhë afatshkurtër nëse vazhdon.

Sektorët ekonomikë që kanë një shkallë më të lartë të punësimit janë tregtia me 15.5 për qind, arsimi me 9.5 për qind, aktivitetet e shërbimeve tjera me 9.1 për qind, prodhimi me 8.7 për qind dhe ndërtimtaria me 7.8 për qind. Sektorët e tjerë kanë një pjesë më të vogël në punësim.

Sipas AFP-së, 47.1 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërsa 52.9 për qind kanë kontratë të përkohshme.

Rezultatet tregojnë se në TM1 2022, shkalla e papunësisë në Kosovë ishte 16.6 për qind. Gratë kanë një shkallë më të lartë të papunësisë se meshkujt, me 18.9 për qind në krahasim me 15.6 për qind të meshkujve. Në grupmoshën e 15-24 vjeçare, shkalla më e theksuar e papunësisë është 31.4 për qind.

Rezultatet e AFP-së tregojnë se fuqia joaktive në Kosovë është mjaft e lartë me 61.4 për qind. Sipas këtyre rezultateve, në TM1 të vitit 2022, gratë kanë një shkallë më të lartë të fuqisë joaktive se meshkujt, me 77.9 për qind krahasuar me 44.8 për qind të meshkujve.

“Nga e gjithë popullsia në moshë pune, 32.2 % ishin të punësuar. Shkalla e punësimit ishte më e lartë për meshkuj se sa për femra: 46.6 % të meshkujve në moshë pune ishin të punësuar krahasuar me 17.9 % të femrave po ashtu në moshë pune. Krahasuar me tremujorin paraprak të AFP-së (TM4-2021) në Kosovë, kemi rritje të shkallës së punësimit me 0.5%, ku kemi rënie te meshkujt me 0.1 % derisa te femrat kemi rritje me 1.1 %. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM1-2021) të AFP-së në Kosovë, kemi rritje të shkallës së punësimit me 2.9 %, ku kjo rritje te meshkujt ishte 3.8 % përderisa te femrat kemi rritje për 2.0 %.” – thuhet në njoftimin e ASK-së.

/PrishtinaPress/

Exit mobile version