Reshjet e dendura të dëborës kanë sjellë bllokim të “Rrugës së Arbrit” në Shqipëri.
Policia Rrugore ka bërë me dije se drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet “bypass” Qafë-Muzinë duhet të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz. Më tej, policia rrugore u ka bërë apel shoferëve që të tregohen të kujdesshëm në drejtimin e mjetit dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
“Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në zonat malore të qarkut Dibër kanë rënë reshje dëbore dhe për këtë shkak, aksi i ‘Rrugës së Arbrit’, bypass – Qafë Murrizë, është bllokuar dhe subjekti kontraktor për mirëmbajtjen e rrugës po punojnë për pastrimin dhe hapjen e saj”, thuhet në njoftim.
Prej disa ditësh, moti i keq ka mbërthyer edhe Shqipërinë, duke sjellë përmbytje në disa zona. Një ditë më parë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, paralajmëroi shtim reshjesh, vërshime lumenjsh dhe rrëshqitje dherash.