Tre për qind e popullatës prej 9 milionë banorëve të Zvicrës janë shqiptarë, ka konfirmuar Zyra Federale e Statistikave në Bernë. Sipas “Tch”, kjo zyrë ka konfirmuar se 300 mijë banorë të Zvicrës janë shqiptarë, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre janë nga Kosova.
Christoph Freymond nga kjo zyrë ka thënë se numri i shqiptarëve në Zvicër është shtuar dukshëm dhe më shumë se komunitetet tjera.
“Për çdo vit, qindra prej tyre natyralizohen, pra marrin pasaporta zvicerane”, ka thënë Freymond.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave, mbi 90 mijë shqiptarë posedojnë pasaporta zvicerane.
Nga 300 mijë shqiptarët në Zvicër, 200 mijë janë nga Kosova, 70 mijë nga Maqedonia, 20 mijë nga Lugina e Preshevës dhe 3500 nga Shqipëria.
Sipas Bernës zyrtare, shqiptarët sot në Zvicër përbejnë komunitetin më të madh dhe më të rëndësishëm në këtë vend, të cilët janë shembull suksesi dhe integrimi.