Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke marrë pjesë në ndejën e fundvitit që partia e tij e ka organizuar në një prej restoranteve në Prishtinë.
Kurti sot gjatë ditës ka refuzuar dy ftesat që ia ka bërë presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për ta mandatuar për krijimin e institucioneve të reja.
Ftesën e parë Thaçi ia kishte dërguar për në orën 13:30, ndërkohë pas arsyetimit të Kurtit se gjendet jashtë Prishtinës, Thaçi ia kishte dërguar edhe ftesën e dytë për në orën 20:00, e cila gjithashtu është refuzuar nga Kurti.
Kurti ka folur për mediat, duke treguar pse ka refuzuar dy ftesat e sotme të presidentit të Republikës.
“Kam marrë sot dy ftesa, por agjenda e krerëve të shtetit është shumë e ngjeshur. Prandaj nuk mund të takohemi ashtu, përveç kur ka ndonjë fatkeqësi ose ndonjë urgjencë tjetër”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se sigurisht që do të takohet me Thaçin, por që paraprakisht ka potencuar se do të shqyrtoj nenet që janë përmendur.
“ Kam qenë në Shkup dhe unë nuk e kam agjendën sot për sot”
Sipas tij nuk duhet as vonuar por as nxituar.