Site icon PrishtinaPress

Sheshi deri të rrethi i Flamurit, qytetarët kërkojnë që fillimisht të sigurohen rrugë alternative

Qytetarët e Prishtinës janë të ndarë në mendime sa i përket mundësisë se mbylljes së rrugës “Dëshmorët e kombit”, dhe shndërrimin në shesh deri te rrethi i Flamurit, raporton Ekonomia Online. Premtim ky i kryetarit të komunës së Prishtinës Përparim Rama.

Ata janë shprehur se së pari Komuna do të duhej që të mundësonte rrugë alternative që të mos krijohen tollovi në komunikacion.

Fatmir Hajrizi, tha se nëse ndodh mbyllja e kësaj rruge pozitive mund të jetë se do të ketë hapësira më shumë për qytetarët.

Por sipas tij, kjo e ka edhe pjesën negative, sepse pa një alternativë për çlirimin e rrugëve, komunikacioni është duke u ngarkuar.

“Kjo i ka dy pjesë, e ka edhe atë pjesën pozitive dhe atë pjesë  negative. Pjesa pozitive është se lirohet kjo pjesë për qytetarë, ambient më i pastër. Por është pjesa tjetër negative se qyteti është duke u bërë guzhëm nga automjetet, sepse nuk po ka rrugë alternativë për me kaluar qytetin. Besoj që kish me qenë mirë me pas mundësi me e liri qytetin pjesëve të tjera, e mandej me liruar këtë pjesë”, tha ai.

Hilmi Rrahmani, tha se mbyllja e saj do të ishte pozitive pasi do të kishte ndikim në ambient.

“Mendoj se është pozitive edhe për shkak të ambientit edhe për shkak të zhurmës edhe për shkak të tollovive që krijohen këtu, sidomos nga bizneset. Kishte me qenë mirë që me pas zgjidhje së pari për komunikacionin për me lehtësuar edhe qarkullimin e automjeteve”, tha ai.

Muhamet Rexhepi, tha se nëse ndodh mbyllja e kësaj rruge do të ishte një mungesë e madhe.

“Kjo është negative, kjo rrugë nuk është që do të kishte ndikuar në ambient më të pastër. Kjo është një pengesë e madhe, së pari unë sot i humba gati dy orë në lidhje me ndërrimin e qarkullimit të autobusëve. Ka ta korrigjohesh kjo është negative”, tha ai.

Gjatë ditës Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, OJQ-në “Marakli t’biçiklave”, kanë shënuar  “Ditën Ndërkombëtare Pa Makina”.

Me këtë rast në kryeqytet nga ora 10:00 deri në orën 15:00 është mbyllur edhe rruga për qarkullim të veturave rruga “Dëshmorët e kombit” nga bulevardi “Xhorxh Bush” deri te Rrethi i Flamurit.

E qytetarët e pranishëm kanë mundësi të marrin me pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetët për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund rrethi i Flamurit.

 

 

Exit mobile version