Site icon PrishtinaPress

Sherifi: Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë pretendime territoriale

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi në një prononcim për Telegrafin në lidhje me mundësinë që çështja e demarkacionit me Malin e Zi mund të prodhojë luftë në pjesën kufitare ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë asnjë çështje të hapur me njëra tjetrën, nuk kanë pretendime territoriale ndaj njëra tjetrës dhe as të ndonjë natyre tjetër.
Ai ka thënë se të dy shtetet duhet të vazhdojnë t’i kultivojnë marrëdhëniet e mira.
“Kosova dhe Mali i Zi janë shtete fqinje të cilat edhe e kanë njohur reciprokisht njëra tjetrën dhe kanë marrëdhënie të mira. Kosova dhe mali i Zi nuk kanë asnjë çështje të hapur me njëra tjetrën,  nuk kanë pretendime territoriale ndaj njëra tjetrës dhe as të ndonjë natyre tjetër. Kështu që të dy palët duhet të vazhdojnë t’i kultivojnë këto marrëdhënie të mira”, tha Sherifi.
Sipas tij, sa i përket versionit aktual të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, ky nuk është problem mes Kosovës dhe Malit të Zi, por mes qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës prandaj edhe duhet të trajtohet si i tillë.
“Së pari ne duhet të bëjmë çmos që të mos e lejojmë ratifikimin e këtij versioni të marrëveshjes pa u hequr të gjitha dilemat që janë ngritur deri më tani nga opozita, ekspertët dhe qytetarët e Kosovës dhe pa u siguruar 100% se vija kufitare është aty ku ka qenë gjithmonë.  Zakonisht, për një shtet të ri, shënimi i kufijve me shtetet fqinje do të duhej të ishte arsye për festë, te ne, për shkak të kësaj marrëveshje të gabuar dhe të dëmshme kemi një situatë të tensionuar politike me mundësi të përkeqësimit edhe të gjendjes së sigurisë”, tha sekretari i Nismës për Kosovën.
Sherifi kërkoi që qeveria duhet të heqë dorë nga logjika e trajtimit të kësaj çështje si një çështje të numrave.
“Çështja e shënimit të kufijve shkon përtej numrave të një mazhorance të një mandati 4 vjeçar. Shënimi i kufijve është një vendim që merret njëherë dhe përgjithmonë. Dhe, nëse qeveria, megjithatë vendos që të vazhdojë me çdo kusht të ratifikojë këtë version, atëherë askush nuk mund të dijë me siguri se si pas kësaj do të zhvilloheshin ngjarjet”, tha ai.
Ndryshe, ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, paralajmëron se çështja e Demarkacionit mund të sjell sërish luftë në Kosovë brenda 5 viteve.
“Kufiri është çështje e ndarjes së territorit. Nuk kemi tokë për të falur. Në atë tokë është derdhur gjak dhe ne s’kemi gjak për të falur. Thaçi dhe Mustafa të japin dorëheqjen. Në 4-5 vitet e ardhshme ka gjasa të ketë përsëri luftë”, ka thënë Kurti nga Tirana, gjatë takimit me kryefjalë demarkacionin me Malin e Zi.

Exit mobile version