Site icon PrishtinaPress

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak i papërballueshëm për Kosovën, duhen milionat

Në dhjetorin e vitit të kaluar, Kuvendi i dha Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mandatin e ushtrisë. Kurse procesi i transformimit të FSK-së në Ushtri, do të zgjasë dhjetë vjet.

Vetëm pesë muaj pasi FSK-ja morri mandatin e ushtrisë po kërkohet që shërbimi ushtarak të bëhet i obligueshëm.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se duhet të jetë i obligueshëm shërbimi ushtarak në Kosovë, sipas modelit të Zvicrës dhe vendeve tjera.

Kjo parti thotë se kjo do të garantonte mbrojtje efektive nacionale dhe “i mundëson Ushtrisë së Kosovës të renditet krahas ushtrive partnere në NATO”.

Por ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrari, tha se ky proces është shumë i kushtueshëm, madje i ka quajtur këto deklarata më shumë politike se sa reale.

Sipas tij, nëse llogariten vetëm 1 mijë veta për 6 muaj shpenzimet mund të shkojnë deri në mbi 50 milionë euro, prandaj ai thotë se buxheti i Kosovës nuk mundet ta përballojë një kosto të tillë.

“Unë mendoj se këto deklarata më shumë janë politike, sepse Kosova me ekonominë e vet që e ka aktualisht nuk mundet me pas shërbim të obligueshëm sepse është shumë i kushtueshëm. Shërbimi ushtarak i detyrueshëm është jashtëzakonisht i kushtueshëm për arsye të shumtë sepse një ushtaraku duhet të i blihet uniforma, pajisjet ushtarake, armatimi, duhet të i sigurohet akomodimi, fjetja, ushqimi, një pagë.

“…nëse llogaritim vetëm 1 mijë veta për 6 muaj nëse ata i thirrmi është mbi 50 milionë, 1 mijë veta e mos të flasim për me dhjetëra e mijëra të rinj e të reja të Kosovës do duhej të merreshin në shërbimin ushtarak dhe mendoj se është e kushtueshme dhe nuk mundet Kosova me përballu një kosto të tillë”.

Madje ish-komandanti i FSK-së thotë se edhe shumë shtete të NATO-s janë duke e hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

“Në rend të dytë shumë shtete të NATO-s që janë anëtare janë duke e hequr shërbimin e detyrueshëm për arsye të shumta që ushtria është shumë më efikase kur e ka në strukturën e vet ushtarak dhe ushtare me kontrata janë më të pjekur e stërvitur dhe kjo nuk mundet me u bë për mendimin tim, mirëpo kjo mundet me u bë në forma tjera”.

Ai propozon që të hartohet një strategji për edukimin e brezit të ri në aspektin ushtarak për përdorimin e pajisjeve ushtarake dhe armatimit.

Mirëpo sipas tij, për tu bërë kjo duhet fillimisht që Kosova të investojë në infrastrukturën e ushtrisë, pastaj të investojë në pajisje të ndryshme ushtarake.

“Kosova në të ardhmen do duhej të mendoj që ta bëj një strategji se si do duhet t’i edukon të rinjtë dhe rejat e Kosovës dhe kjo mundet me u bë nëpër mënyra të ndryshme siç e kanë shumë shtete, vikendeve të bëhen trajnime të rinjve në aspektin trajnues me i edukuar në aspektin ushtarak, por edhe me i familjarizuar me armë, pse një i ri mos me pas një qitje gjatë jetës së vet që me ndje e me përdor armën dhe kjo mundet me u bë dhe mos me qenë e kushtueshme”.

“Do të ishte mirë që të ritë e të rejat të edukoheshin në aspektin ushtarak, do të edukohen për përdorimin e pajisjeve ushtarake dhe armatimeve të ndryshme, mirëpo për me u bë kjo do duhej fillimisht që Kosova të investoj në infrastrukturën e ushtrisë së Kosovës, pastaj të investoj në pajisje të ndryshme ushtarake që janë jashtëzakonisht të kushtueshme e sofistikuara, duhet investuar në armatim dhe kjo merr kohë shumë me vite”.

Ndërsa komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, i tha Ekonomia Online, se janë duke hartuar një plan që të aktivizohen gjeneratat e reja dhe t’i mësojnë njohuritë bazike të ushtrisë.

Komandanti i FSK-së, shton se këto njohuri bazike do të epen për civilët e rinj, sepse në të ardhmen nuk mund të dihet se çka mund të ndodhë, andaj sipas tij, nevojitet mobilizim i përgjithshëm.

“Ne jemi duke hartuar një plan një ide se si në të ardhmen do t’i aktivizojmë gjeneratat e reja jo që është obligative por që në shkolla, do t’i ftojmë nëpër kampe do të jenë pjesë e ushtrimeve fushore, qëllimi është që edhe gjeneratat e reja ti kenë ato njohuritë bazike të sigurisë”.

“Nuk e dimë që çka ka me ndodhë nesër mund të jetë një mobilizim i përgjithshëm dhe patjetër që të gjithë qytetarët duhet t’i kenë njohuritë bazë të përdorimit të armëve, por ta shohin edhe jetën ushtarake se si zhvillohet”, u shpreh gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Exit mobile version