0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Shenja për ndalimin e shamisë në shkollën e Gjakovës, reagon Bashkësia Islame e Kosovës

Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar ashpër për shenjën për ndalimin e shamisë të vendosur në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”, në Gjakovë.

Sipas BIK, ky veprim “e trajton mbulesën e femrës sipas parimeve islame si një veprim ordiner”.

Nga ky institucion fetar kanë kërkuar anulimin e Nenit të Udhëzimit Administrativ, që e parasheh këtë ndalesë.

“Një trajtim i tillë i parimeve fetare është mendësi e së kaluarës moniste. Mësimet e parimet fetare nuk dëmtojnë e nuk rrezikojnë shoqërinë, përkundrazi edukojnë, mësojnë e fisnikërojnë. Ky është qëllimi i besimit, e në këtë kontekst duhet parë edhe mbulesën e femrës myslimane.

Për të mos na u përsëritur situata të tilla, kërkojmë edhe njëherë nga Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, që ta anulojnë nenin 3 paragrafi 1 pika 1.13 të Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014, të cilin e konsiderojmë si burim të këtyre akteve e veprimeve që krijojnë situata të tilla”, thuhet në reagim.

Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, i ka reaguar deputetes Duda Balje, e cila mbrëmë bëri një postim pas simbolit që ndalon vendosjen e shamisë në këtë shkollë.

Gjergjaj ka thënë se vetëm po e respekton Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulet, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”, ka shkruar Gjergjaj.

Ajo ka thënë se do t’i drejtohet edhe autoriteteve të sigurisë për, siç ka thënë, fushatën e kërcënimeve që Balje ka nxitur ndaj saj,

“Sidoqoftë, për fushatën e kërcënimeve që ju nxitet sonte ndaj meje, natyrisht se nesër do t’i drejtohem autoriteteve të sigurisë. Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë Kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime – Kosova – për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mija ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi. Pa marrë parasysh, se në disa raste përballemi edhe me individ të ndryshëm që me metoda primitive, “autoritare”, e nxitëse të dhunës provojnë të na detyrojnë që t’i shkelim ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Gjergjaj.

Ndryshe, Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje i është drejtuar drejtores së kësaj shkolle, Forentina Gjergjaj, duke e pyetur publikisht se në cilat ligje të vendit e ka bazuar vendosjen e simboleve ndaluese.

“Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë znj. Florentina Gjergjaj, nuk e di se, në bazë të cilës Kushtetutë apo ligji keni vendosur simbolet ndaluese?!!! Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetarë dhe Republikën tonë, papërjashtuar edhe besimet fetar”, ka shkruar deputetja në llogarinë e saj në Facebook.

Balje ka kërkuar sqarim edhe nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, për këtë veprim të shkollës.

“Unë  nuk mund të jam indiferent dhe gjithashtu kërkojë një sqarim edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës z. A. Gjini. Krahasimi i një arme që vret, me atë të një vajze me shami, për mua është vrasje e të drejtës së besimit të sajë!”, ka shkruar ajo.

Edhe Imami kosovar Labinot Maliqi, i ka reguar drejtpërdrejt kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, lidhur me simbolin e vendosur në muret e shkollës “Nexhmedin Nixha” për ndalimin e shamisë.

Maliqi ka thënë se drejtorja e shkollës në Gjakobë, Florentina Gjergjaj është nga radhët e AAK-së.

Mesazhet e imamit për Haradinajn, janë shoqëruar me gjuhë të ashpër. Ai ka thënë se gratë e partisë së tij po bëjnë veprime fashiste.

“Ramush Haradinaj, nëse t’u kanë lodh mashqit, kujdes me gratë e partisë të cilat me veprime fashiste në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit po e luftojnë besimin e 98,6% të popullit të Kosovës. Pastaj mos thuaj se unë e respektoj Islamin, hoxhallarët dhe besimtarët e devotshëm, ndërsa në anën tjetër heshtë përballë veprimeve fashiste dhe islamofobe të kryera nga bashkëpartiakët tuaj. Drejtoresha e shkollës së mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, e cila vije nga radhët e AAK-së, me plot mllef dhe fashizëm ka vendosur në hyrje të institucionit shenjën kundër vendosjes së shamisë në shkollë, duke e barazuar atë me pistoletën, duhanin dhe dukuritë e tjera negative”, ka thënë ai.

Imami Mlaiqi, po ashtu, i ka bërë thirrje ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që ta shkarkojë menjëherë nga pozita drejtoren.

“Për shkak të këtyre veprimeve fashiste, islamofobe, nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit fetar, veprime të cilat e kanë prishur qetësinë dhe rendin tonë publik, i bëjë thirrje Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që ta shkarkoj menjëherë nga pozita e saj drejtoreshën Florentina Gjergjaj. Në të kundërtën, do të padisim MASHT-in për heshtje ndaj këtyre veprimeve të dëneshme me ligj, apo marrjen e masave të lehta përballë kësaj situate tepër të rëndë dhe serioze. Si shtet demokratik që jemi dhe jo komunist, shkollimi dhe bartja e shamisë është e drejtë elementare njerëzore dhe nuk do të mund kurrë askush ta pengoj”, ka thënë ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img