Në kryeqytetin e Kroacisë përfundoi greva katërditore e punëtorëve të pastrimit, “Çistoça”, e cila gjë kishte bërë që disa pjesë të qytetit të kundërmonin nga mbeturinat.
Pas marrëveshjes me kompaninë shtetërore të pastrimit, kryebashkiaku i Zagrebit, Tomislav Tomaseviq, iu bashkua punëtorëve dhe filloi të pastronte rrugët.
Tomaseviq, i veshur me kostum pune, publikoi një video në rrjetet sociale duke thënë se gjatë orëve të ardhshme do të marrë pjesë në mbledhjen e mbeturinave së bashku me punëtorët.
“Dua të kalojë disa orë me punëtorët, prandaj jam veshur kështu. Dua të shoh për së afërmi punën e tyre në terren, pra orët e ardhshme jam në terren”, tha kryetari i Zagrebit.
“Punëtorët më kërkuan të vijë dhe erdha, do të kisha punuar gjithë turnin, por duhet të kthehem në seancën e kuvendit komunal”, shtoi Tomaseviq.
Lëvizja e kryebashkiakut u kritikua menjëherë nga përfaqësuesit e opozitës në këshillin e qytetit të Zagrebit, duke e akuzuar atë për populizëm. Të tjerë i thanë se duhet të qëndronte përgjithmonë në pozicionin e pastruesit të rrugëve.