Sot do të shpallet ankandi i parë për parku me energji solare me kapacitet prej 100 Megawatt.
Ky ankand do të shpallet nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e Administratorja e USAID-it, Samantha Power.
Sipas njoftimit të Qeverisë, shpallja e ankandit do të bëhet në ora 15:00.
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka deklaruar dje se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke. Megjithatë, ajo ka theksuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një urgjencë.
Power, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, nënvizoi rëndësinë që palët në dialog të shkëmbejnë idetë për Asociacionin në mënyrë që të arrihet kompromisi.
“Ne shpresojmë që tani që më në fund ka ndodhur dialogu për atë se si mund të duket, edhe nëse palët ende nuk janë dakorduar për një vizion, se cilat do të jenë modalitetet, madje kjo është hera e parë që ka ndodhur ky lloj angazhimi përmbajtësor. Është e rëndësishme që idetë të shkëmbehen dhe të arrihet kompromisi, në mënyrë që normalizimi të mund të vazhdojë që do të rezultojë përfundimisht, me njohjen reciproke”, tha ajo.
Krahas kësaj, shefja e USAID-it, tha se nënshkrimi i Deklaratës për të zhdukurit më 2 maj në Bruksël, është shumë e rëndësishme dhe se duhet të zbatohet konkretisht.
Këto komente Power i bëri të enjten në Gjilan, pas vizitës në kompaninë “Frutomania”, ku takoi edhe fermer të vegjël në këtë zonë.
Ajo tha se misioni i USAID-it është të ndihmojë sipërmarrësit dhe njerëzit e Kosovës për t’i zgjeruar mundësitë ekonomike.