Sindikata e gatshme për protesta, thotë se nuk trembet nga kërcënimi i Devollëve
2500 punëtorë të Telekomit të Kosovës rrezikojnë të mbesin pa punë.
Ky skenar mund të ndodhë nëse Telekomit brenda dy javësh nuk ua kryen borxhin prej 25 milionë e 900 mijë eurove Z-mobilit.
Krerët e kësaj kompanie përmes një letre zyrtare i kanë dhënë afat deri më 26 prill për t’ia shlyer borxhin, në të kundërtën në letër thuhet se Z-mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.
Për këtë kryeshefi i Telkomit, Bedri Istrefi, po kërkon mbështetjen e institucioneve të vendit.
Istrefi thotë se janë duke diskutuar edhe me Devollët për ta gjetur një zgjidhje.
Ndërkohë më i ashpër me pronarët e Z-Mobile ka qenë kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i cili thotë se nuk i trembet kërcënimeve të Devollëve.
Në anën tjetër, kryeshefi i i Telkomit frikësohet se nëse nuk reagon shteti, do ta ketë një arbitrazh tjetër për Telekomin.
Istrefin gjatë së hënës e ka takuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka premtuar se Qeveria e vendit do të angazhohet për qëndrueshmërinë biznesore dhe financiare të Telekomit të Kosovës.