Shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se i mirëpresin dhe i mbështesin në formë aktive angazhimin e Policisë së Kosovës për përfshirjen e të gjitha komuniteteve të vendit.
Ai ka theksuar se një forcë policore profesionale kudo duhet të pasqyrojë diversitetin e popullatës të cilës i shërben.
“Të gjitha përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e PK-së apo kadetët që fillojnë karrierën në polici duhet të dënohen pa rezerva. Ata që janë përgjegjës duhet t’i nënshtrohen me vendosmëri dhënies së llogarisë”, ka shkruar Davenport.
Policia e Kosovës ka punësuar pjesëtarë të komuniteteve si zyrtarë policorë në komunat veriore. Prej kësaj, ndaj tyre është duke u zhvilluar një fushatë frikësuese në rrjete sociale.