Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përmendur sigurinë në Kosovë si rol thelbësor për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Stoltenberg gjatë fjalimit të tij të fundvitit përmes platformës X, falënderoi të gjithë aleatët për mbështetjen dhe KFOR-in në Kosovë, për shërbimin në mbrojtje të paqes, teksa përmendi se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten.
“Muajin e kaluar, takova trupat e KFOR-it në veri të Kosovës. Ndihma për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor. Dua të shfrytëzoj rastin për të falënderuar secilin prej jush, kudo që jeni të vendosur. Pa ju nuk do të ketë NATO, siguri dhe liri. Ne ju detyrohemi një borxh mirënjohjeje. Prandaj faleminderit për shërbimin, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj”, ka thënë Stoltenberg.
Stoltenberg theksoi se nuk mund të ketë siguri pa mbrojtje të fortë dhe nuk mund të ketë mbrojtje të fortë pa forca të armatosura të afta.
“Kjo është arsyeja pse vitin e kaluar ne ndërmorëm hapa të rëndësishëm për të forcuar më tej parandalimin dhe mbrojtjen e NATO-s, me më shumë trupa në gatishmëri të lartë dhe rritje të shpenzimeve për mbrojtjen. Kjo nuk është për të provokuar një luftë, është për të parandaluar konfliktin dhe për të ruajtur paqen”, u shpreh ai.