Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi ka thënë se njerëzit që kanë tentuar të ndikojnë për pranimin në punë në konkursin e kësaj korporate nuk kanë ngjyrim politik, por interes.
Krasniqi e ka pranuar se deri te faza intervistuese me gojë gjithçka ka shkuar mirë, pastaj është bërë një përmbysje e rezultatit të testit me shkrim.
“Aty që duhet të pajtohem me ishdrejtorin e Njësisë për politika dhe monitorim është që është e vërtet që njerëzit që ndikojnë, që kanë tentuar të ndikojnë nuk kanë ngjyrim politik, por kanë ngjyrim interesi. Njerëz të ndryshëm tentojnë të sigurojnë mënyra se si t’i punësojnë familjarët e tyre. Ajo cfarë ne kemi bërë në këtë konkurs, jemi mundu me bo një konkurs sa më transparent që është e mundur. Unë mund të them që deri te faza e intervistave me gojë që kanë qenë aty gjithçka ka shku pak a shumë në nivel të kënaqshëm
Tek intervistat me gojë, aty ka pas përmbysje të rezultateve me shkrim, atë duhet të pranojmë edhe ashtu është”, tha Krasniqi në rtk.
Ai tutje tha se janë duke u marrë me analizën e ankesave, ku janë gjithsej 230 ankesa.
Sipas tij, nëse në procesin e intervistimit ka pasur defekte madhore atëherë konkursi do të anulohet, nëse jo atëherë do të vazhdojnë me korrigjimin deri tek riintervistimi i aplikuesve.
“Mirëpo ne nuk mund të reagojmë pas deklaratave në shtyp apo disa informatave parciale. Ne duhet të bëjmë analizë të cdo ankese dhe atë jemi duke bërë. Kemi marrë rreth 230 ankesa, dhe cdo ankesë do të shqyrtohet. Nëse ne vijmë në përfundim që numri i ankesave që janë të bazuar përfshi edhe përfshirjen e familjarëve eventual, nëse ato mund të jenë në numër të limituar e që ne mund t’i adresojmë dhe korrigjojmë do të vazhdojmë me procesin duke i korrigjuar ato që i gjejmë si të meta në proces përfshirë edhe riintervistimin eventual të gjithë atyre personave.
Nëse vijmë në përfundim që procesi i intervisitmit ka pasur defekte madhore atëherë ne do të anulojmë atë komplet”, tha Krasniqi.
Kujtojmë se është raportuar se në një konkurs të Korportatës Energjetike të Kosovës janë punësuar njerëz të afërm të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.