Shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj marrrëveshjes që u arrit së fundi në Bruksel me Serbinë.
Por, ai thotë se me atë marrëveshje tallet presidenti i Serbisë dhe e shkel atë.
“Përkushtimi i Kosovës mbetet i fortë për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Traktati i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi po përballet me pengesa për shkak të refuzimit të Serbisë për të nënshkruar dhe pajtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes”, ka shkruar Dalipi në X.
Dalipi përmendi edhe pretendimin tallës të Vuçiqit që kishte thënë se e kishte dorën e lënduar për ta nënshkruar marrëveshjen.
“Serbia refuzoi në mënyrë të përsëritur të nënshkruajë marrëveshjen, duke përmendur arsye të ndryshme, duke përfshirë një lëndim të supozuar të dorës nga presidenti i Serbisë. Ai po tallet me të gjithë të përfshirët! Pavarësisht këtyre sfidave, Këshilli Europian miratoi konkluzionet më 23 mars, duke përshëndetur marrëveshjen”.
“Serbia më vonë e shkeli marrëveshjen duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kosova me të drejtë kërkon një plan të balancuar të sekuencës për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa Serbia e rrezikon vlefshmërinë e marrëveshjes duke insistuar në Asociacionin e komunave me shumicë serbe si parakusht”./Express/