Shefi i asamblistëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Bahri Gashi ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli në Fushë Kosovë, ku lojtari i ri Belgin Jashari, pjesëtar i komunitetit ashkali, është sulmuar fizikisht, shkruan PrishtinaPress.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e ka quajtur të papranueshëm sulmin ndaj Jasharit, duke e cilësuar si akt burracak dhe të drejtuar padrejtësisht ndaj një të riu që përfaqëson një komunitet të ndershëm e të përkushtuar në shoqëri.
“Belgin Jashari është një djalë që po luan futboll në Fushë Kosovë dhe është sulmuar nga një ‘trim’ gjatë lojës. Po kritikohet me të drejtë ky veprim. Por nuk jam dakord me ata që kërkojnë falje në emër të të gjithëve dhe që e quajnë popullin tonë racist. Na nuk jemi racistë, hiq”, u shpreh ai.
Ai vuri në pah kontributin e komunitetit ashkali në shoqërinë kosovare, duke përmendur se shumë familje nga ky komunitet kanë qenë të përfshira në procese të rëndësishme për vendin, madje edhe në radhët e UÇK-së.
“Kjo është arsyeja pse ky akt është edhe më i rëndë – sepse është drejtuar ndaj më të dobëtëve, ndaj atyre që e kanë Kosovën si atdhe të vetëm dhe që flasin shqip si të gjithë ne,” tha ai.
Duke iu drejtuar personalisht Belginit, ai i dha një mesazh motivues: “Grahi futbollit, mos u nda prej shokëve të ekipës. Mos u merr me ata që të shajnë, por mendo për veten, për familjen dhe për komunitetin tënd. Ata që të njohin, të duan dhe të respektojnë.”
Ky reagim ka marrë përkrahje të gjerë në rrjetet sociale, ndërsa rasti i Belgin Jasharit ka hapur debat publik për trajtimin e komuniteteve pakicë në shoqërinë kosovare dhe nevojën për respekt e barazi në çdo fushë të jetës.