1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Shefat e agjencive të inteligjencës ruse kanë qëndruar në Uashington

Drejtorët e tri agjencive kryesore ruse të inteligjencës dhe spiunimit, kishin udhëtuar në Uashington të Shteteve të Bashkuara gjatë ditëve të fundit, në atë që vëzhguesit vlerësojnë se ishte një ngjarje tejet e pazakonshme në periudhën e rritjes së tensioneve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, më herët ka konfirmuar se Sergei Naryshkin, shef i agjencisë së jashtme të inteligjencës SVR, aktualisht ishte në Uashignton, për takime me zyrtarët amerikanë lidhur me terrorizëm dhe çështje të tjera.

Por, prania e dy shefave të tjerë, Aleksandar Bortnikov, drejtor i Shërbimit të sigurisë federale (FSB), dhe gjeneralit Igor Korobov, shef i Shtabit të përgjithshëm të drejtoriatit të inteligjencës (GRU), më parë nuk ishte e njohur.

E përditshmja, Washington Post, ka raportuar dje se Bortnikov dhe Korobov, kishin arritur në Uashington javën e kaluar dhe se Bortnikov ishte takuar me drejtorin e agjencisë amerikane, CIA, Mike Pompeu. Po ashtu, Pompeo ishte takuar edhe me Naryshkinin.

Nuk është e qarrtë se me kend ka mundur të takohej Korobov…

Këto vizita ishin bërë disa ditë para se presidenti amerikan, Donald Trump, i ka shpallur aksionet e reja kundër Rusisë, në harmoni me legjislacionin e miratuar pothuajse unanimisht në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, verën e kaluar.

Por, masat e ndërmarra nga Departamenti amerikan i thesarit, ishin parë me mosbesim nga shumë vëzhgues, të cilët kishin pritur bllokim të pasurive, ndalesa të udhëtimeve dhe imponim të sanksioneve të tjera. Por, kjo nuk ka ndodhur.

Në një radio intervistë në Moskë, më 30 janar, ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, tha se Pompeo me të vërtetë ishte takuar me zyrtarët e lartë të agjencive të spiunimit të Rusisë, por ai nuk ka thënë se ku kishin ndodhur këto takime apo kush ka marrë pjesë në to në mënyrë specifike.

“Vetëm javën e kaluar, ne kemi pasur me gjasë takimet më të rëndësishme për kundërterrorizëm për një kohë të gjatë, në nivelin e lartë”, tha Huntsman për radion Ekho Moskvy.

Një zëdhënës i Ambasadës së Rusisë në Uashington nuk është përgjigjur menjëherë në kërkesën me email për koment.

Një zëdhënës i agjencisë CIA, ka refuzuar të paraqes detaje të takimeve të Pompeos.

“Derisa ne nuk diskutojmë për orarin e liderëve të inteligjencës amerikane, mund të jeni të sigurt se çfarëdo komunikimi me agjencitë e jashtme të inteligjencës, janë kryer në harmoni me ligjin amerikan dhe në konsultim me departamentet dhe agjencitë përkatëse”, i ka shkruar ky zyrtar Radios Evropa e Lirë nëpërmjet emailit, në kushte anonimiteti.

Aktualisht, Mike Pompeo, në intervistën për rrjetin BBC, më 29 janar, ka deklaruar se agjencitë e spiunimit të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, kanë bashkëpunuar, por Rusia ende konsiderohet armik.

“Kam parë shtim të rëndësishëm në aktivitetin e tyre”, ka thënë Pompeo.

Drejtorët e CIA-s rregullisht takohen dhe bisedojnë me kolegët rusë për çështje të ndryshme. Por, oficerët e pensionuar të inteligjencës amerikane, thonë se prania e të tre zyrtarëve të lartë rusë në Uashington, në të njejtën kohë dhe në periudhën e hetimeve intensive lidhur me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në fushatën presidenciale në vitin 2016, është shumë e pazakonshme.

“Nuk më kujtohet asnjëherë në 15 vitet e fundit”, që të tre shefat e agjencive të Rusisë, ishin në kryeqytetin amerikan në kohën e njejtë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Steven Hall, ish-shef i zyrës së CIA-s në Moskë.

Vizita e rusit Sergei Naryshkin, në Uashington, është pritur me shqetësim nga disa senatorë amerikanë.

Lideri demokrat në Senat, Chuck Schumer, ka theksuar se Naryshkin ishte në listën e vitit 2014, të personave që u ndalohej udhëtimi në Shtetet e Bashkuara, lidhur me aneksimin e Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë. REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img