Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, thotë se Brukseli dhe Uashingtoni duhet t’i vlerësojnë tash përpjekjet që po i bën Qeveria e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri dhe sipas tij, së shpejti t’i heqin masat ndëshkuese. Ai tha se Perëndimi po i bën më shumë presion Kosovës, sesa Serbisë, e që sipas tij do të duhej të ishte e kundërta.
Shea tha se janë për t’u përshëndetur përpjekjet e qeverisë së Kosovës për ta de-eskaluar situatën në pjesën veriore të vendit dhe për t’i integruar sërish serbët në shërbimet publike.
“Periudhën e fundit situata në pjesën veriore ka qenë e qetë dhe tani shpresoj që kjo do të vlerësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Konsideroj që tani komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë presion Serbisë, në rast se serbët etnik pengohen nga Beogradi që të shërbejnë në institucionet e Kosovës”, deklaroi Shea për TV1.
Ai thotë se Kosovës po i bëhet më shume presion për shkak se ajo është më e varur nga Perëndimi.
Sipas tij do të ishte me produktive nëse presion i bëhet palës më të fortë siç është në këtë rast Serbia.
“Le të jemi të sinqertë është e vërtetë se Kosovës po i bëhet më shumë presion sesa Serbisë. Kjo po ndodh për arsyen se Kosova është më e varur nga Perëndimi në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë, prandaj këta të fundit e kanë më të lehtë që të ushtrojnë presion mbi palën më të dobët. Megjithatë, sipas meje, kjo nuk është një qasje korrekte që t’i bësh presion gjithnjë palës më të dobët. Do të duhej të ishte e kundërta, pra presion duhet te kishte mbi palën më të fortë. Rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian duhet të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, shtoi ish-zëdhënësi i NATO-s.
Shea ka folur edhe për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Ukraina.
“Ka paralele të ngjashme mes Kosovës dhe Ukrainës. Populli i Ukrainës tani po vuan ashtu siç kanë vuajtur kosovarët në të kaluarën. Prandaj sot ukrainasit kanë krijuar një simpati për Kosovën, dhe kjo mund të ndikoj pozitivisht që pozicioni i Ukrainës ndaj Kosovës të ndryshojë. Do ishte një lajm i jashtëzakonshëm nëse Ukraina e njeh pavarësinë e Kosovës”, tha ai më tej.