Site icon PrishtinaPress

Shea: Pakti i Rritjes dhe Stabilitetit për Ballkanin do ta ndihmojë Kosovën të arrijë procesin e BE-së

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea ka thënë se Pakti i ri Rritjes dhe Stabilitetit për Ballkanin Perëndrimor nga BE do ta ndihmojë Kosovën që të arrijë procesin e BE-së.

Keto deklarata ai i tha kur u pyet se sa është e mundur që në vitin 2030 shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, siç ka parashikuar BE.

“Kjo ishte shpresa e Presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, më shumë se sa një datë zyrtare e synuar kolektive e BE-së. Por hapja e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të thotë se BE-ja duhet të përgatitet brenda vendit për një raund tjetër të madh të zgjerimit. BE sapo ka nisur një Pakt të ri Rritjeje dhe Stabiliteti edhe për Ballkanin Perëndimor me shumë investime shtesë dhe financime për infrastrukturën. Kjo dinamikë e re sigurisht që do ta ndihmojë Kosovën që të arrijë procesin e BE-së dhe liberalizimi i vizave ka qenë një hap i parë i vonuar prej kohësh”, ka deklaruar Shea në RTK.

Tutje ai bëri thirrje që BE-ja të heqë urgjentisht sanksionet që i ka vendosur ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri.

I pyetur se sa efekt mund të kenë zgjedhjet që do të mbahen në SHBA dhe në Bashkimin Evropian për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ai shtoi:

“Parashikimet janë gjithmonë të rrezikshme, por nuk besoj se zgjedhjet në SHBA dhe Evropë këtë vit do të ndryshojnë ndjeshëm qasjen ndaj dialogut Prishtinë-Beograd. Kur ishte në Shtëpinë e Bardhë herën e fundit, Donald Trump punoi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe madje i ftoi dy presidentët në një samit në Uashington. Dialogu trajtohet gjithashtu nga BE, gjë që e bën atë më pak të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në zgjedhjet kombëtare brenda Evropës. Perspektiva e zgjerimit të BE-së gjithashtu e bën më urgjente zgjidhjen e çështjes së njohjes së Kosovës dhe ushtron presion mbi Beogradin që të miratojë një pozicion më fleksibël dhe më real. Megjithatë, SHBA dhe Evropa duhet të jenë të vendosura me Serbinë kur bëhet fjalë për kontrollin e aktiviteteve të forcave paraushtarake në territorin e saj dhe për të ndaluar ndërhyrjen në veri të Kosovës. Të jesh i arsyeshëm me Beogradin dhe të ofrosh karota ka kuptim vetëm nëse Beogradi tregon një qasje më pajtuese. Pra, komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë edhe në mes Prishtinës dhe Beogradit”, deklaroi Shea.

Exit mobile version