-1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

ShBA-të shprehën shqetësim, Haziri: LDK ka komunikim të rregullt me ambasadën, të shqetësuar duhet të jenë Vetëvendosja

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka komentuar deklaratën e fundit të ShBA-ve, lidhur me qëndrimet e opozitarëve, në veçanti LDK-së dhe PDK-së, karshi përmbajtjes së propozimit evropian, mbi bazën e të cilit po zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi.

Në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, gjatë ditës së djeshme ambasada amerikane në Kosovë deklaroi se janë të shqetësuar me qëndrimet e opozitës karshi propozimit evropian, që të paktën gojarisht u pranua si bazë për diskutime të mëtejshme në dialogun Kosovë-Serbi.

Nga Ambasada thanë se komentet e opozitarëve nuk përkojnë me ato të ShBA-ve.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, thotë zëdhënësi i Ambasadës amerikane, në përgjigje për Reporteri.net.

Në kundërpërgjigje ndaj shqetësimit të ShBA-ve, Haziri tha se LDK komunikon rregullisht me ambasadat e zyrtarizuara në Kosovë, përfshirë atë amerikane, për të parë nëse po pengojnë ndonjë proces politik.

“Në fakt, çdo mungesë koncensusi politik për procese të mëdha, siç është edhe procesi i dialogut, është shqetësim, është edhe brengë. Është shpeshherë edhe moskuptim: pse deri këtu? Por, kjo është gjendja jonë. Por, në këtë rrafsh, ne kemi komunikimin tonë të rregullt me të gjitha ambasadat që janë të akreditume në Kosovë, në veçanti me Shtetet e QUINT-it. Natyrisht, komunikimi ynë ditor ka kuptimin e koordinimit dhe largimit të shqetësimit sa i përket rolit tonë në procese politike”, deklaroi deputeti për IndeksOnline.

Në të kundërtën, Haziri tha se është Vetëvendosje ajo që duhet shqetësuar, pasi, sipas tij, ende s’kanë arritur të krijojnë koncensus të gjërë për dialogun, dhe procese tjera politike.

“Të shqetësuar duhet të jenë partia në qeveri, e cila duhet të krijojë koncensus të gjërë për procese… Nëse e krahasojmë çfarë deklarate ka pasë ambasada amerikane para 10 vjete, karshi Vetëvendosjes që është sot shumicë politike, atëherë është diçka krejt tjetër, situatë krejt tjetër”, tha ai. /Reporteri.net/.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img