Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në lidhje me çështjen e targave ilegale.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka thënë se SHBA-të mirëpresin arritjen e marrëveshjes për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shkruan Price në Twitter.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia, të mërkurën mbrëma kanë arritur marrëveshje për targat, në Bruksel.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai.
Tutje ka ftuar palët që në ditët në vijim të diskutojnë për hapat e ardhshëm të dialogut.
“E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur”, u shpreh Borrell.