-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

SHBA në OKB: Dialogu të përfundojë me njohje reciproke

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur mbështetjen e tyre për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit që duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Ambasadori Robert Wood, përfaqësues alternativ i SHBA për Çështjet e Posaçme Politike në OKB deklaroi se SHBA mbështet rrugën evropiane të Kosovës si dhe të gjithë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Wood u shpreh se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen seriozisht në dialog dhe uroi në arritjen e një konsensusi për çështjen e targave.

“Nevojitet angazhim serioz dhe urgjent ndërmjet palëve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të arritur normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër… Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara ngushtë me të dhe me partnerët tanë evropianë në mbështetje të dialogut. Përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia dhe Kosova miratuan një udhërrëfyes energjetik dhe zgjidhën në mënyrë paqësore çështjet e dokumenteve të daljes dhe hyrjes në kufijtë e tyre. Shpresojmë që të arrihet një konsensus i ngjashëm edhe për njohjen e targave”, deklaroi përfaqësuesi i SHBA.

Ambasadori Wood u shpreh se Ballkani Perëndimor ka nevojë për stabilitet dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një komponent kyç i kësaj, duke kërkuar nga të dy vendet që të shmangin deklaratat nxitëse.

“Ne inkurajojmë fuqishëm Serbinë dhe Kosovën që të mbajnë tensionet e ulëta duke u fokusuar në përparimin e dialogut dhe duke shmangur retorikën nxitëse. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë për të zbatuar udhërrëfyesin e rënë dakord për energjinë dhe për të shmangur tensionet për targat. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdon të jetë mekanizmi kryesor për pajtimin e çështjeve ndërmjet dy fqinjëve, gjë që e ka bërë rolin e UNMIK-ut në rajon, gjithnjë e më të tepërt”, tha ai.

Në fund, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB tha se UNMIK-u prej kohësh e ka përmbushur misionin e tij siç është përshkruar në mandatin fillestar, prandaj ka ardhur koha që ky mision të mbyllet.

“Jemi të zhgënjyer që Këshilli nuk ka lëvizur drejt përfundimit të mandatit të UNMIK-ut duke përfshirë zhvillimin e një plani për mbylljen e misionit. Ky Këshill ka prioritete shumë më urgjente për t’u trajtuar dhe burimet e tij janë të kufizuara. Ne i bëjmë thirrje Këshillit të ndërmarrë hapa që do të lejojnë një rol më produktiv dhe më relevant për OKB-në dhe Kosovën, që do të lehtësonte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë mënyrë do të ndihmonte avancimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Wood.

Përfaqësuesi i SHBA tha se Kosova me ndihmën e partnerëve evropianë ka zhvilluar dhe forcuar institucionet e saj për të marrë përsipër shumë nga përgjegjësitë që ishin dikur nën juridiksionin e UNMIK-ut, duke kërkuar që të mos ketë raportime gjashtëmujore./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img