Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të lejojnë transferimin e avionëve luftarakë danezë dhe holandezë F-16 në Kiev.
Shfrytëzimi i këtyre avionëve do të fillojë pasi pilotët ukrainas të jenë plotësisht të trajnuar për t’i operuar ato, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.
“Në këtë mënyrë, Ukraina do të mund të përfitojë plotësisht nga aftësitë e saja të reja”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të ShBA-së.
Ukraina vlerësoi vendimin për të cilin ishte përpjekur fort që nga viti i kaluar.
Mirëpo Kievit do t’i duhen disa muaj për të qenë në gjendje të përdorë F-16 për të luftuar epërsinë ajrore të Rusisë.
Holandezët, mendohet se kanë rreth 24 F-16 operativë të cilët janë planifikuar të nxirren jashtë shërbimit dhe të zëvendësohen me avionë luftarakë më të avancuar.
Danimarka po planifikon gjithashtu një përmirësim të flotës së saj prej rreth 30 F-16.
ShBA dhe aleatët e saj kishin përjashtuar më parë mundësinë e ofrimit të F-16 për Ukrainën, nga frika se kjo do të çonte në përshkallëzim të mëtejshëm me një Rusi të armatosur me armë bërthamore.
Rusia e cila nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, deri më tani nuk ka bërë asnjë koment publik mbi këtë çështje.