Shtetet e Bashkuara së shpejti mund të zgjerojnë kufizimin e përdorimit të kompjuterave në disa fluturime nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Kjo u konfirmua të mërkurën nga shefi i Sigurisë Kombëtare.
Sekretari John Kelly tha para një komisioni të Senatit se Departamenti i Sigurisë Kombëtare mund “të ndërmarrë masa së shpejti për të zgjeruar numrin e aeroporteve” të prekura nga kufizimet për laptopët dhe paisje të tjera kompjuterike, për shkak të shqetësimeve se terroristët mund të vënë në shënjestër aviacionin komercial duke fshehur mjete shpërthyese në paisjet elektronike të përmasave të mëdha.
Komentet e Kelly gjatë seancës dëgjimore të së mërkurës në Kongresin amerikan pasuan deklaratat e zëdhënësit të tij një ditë më parë për gazetën USA Today, “Nuk po them se çdo gjë është e pashmangshme, por nuk përjashtoj asgjë,” tha ai.
Udhëtarëve në fluturimet direkte për në Shtetet e Bashkuara nga 10 aeroporte në tetë shtete të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, u kërkohet që pajisjet elektronike më të mëdha se telefonat, t’i fusin në bagazhet e tyre që kalojnë përmes aparateve të specializuara dhe ruhen në barkun e avionit.
Shtetet e Bashkuara njoftuan me 21 mars ndalimin për një kohë të papërcaktuar të përdorimit në kabinën e avionit të pajisjeve elektronike nga të njëjtat rajone. Të dyja masat u bënë shkak për kritika të menjëhershme se administrata e Presidentit Trump po diskriminonte ndaj vendeve me shumicë myslimane.
Sekretari Kelly hodhi poshtë kritikat gjatë seancës dëgjimore duke thënë se “masat nuk janë hartuar mbi baza fetare apo të ngjyrës së lëkurës.”
“E dimë se çdo ditë dhjetëra celula terroriste diskutojnë se si të sulmojnë aviacionin…egziston një kërcënim real gjatë gjithë kohës.” “Është e vërtetë. Po vërtetohet ndërsa flasim”, u shpreh ai. Zoti Kelly nuk dha hollësi mbi natyrën e kërcënimeve ose përse u zgjodhën aeroportet.
Britania zbatoi kufizime të ngjashme një ditë pas Shteteve të Bashkuara duke ndikuar tek fluturimet nga Egjipti, Jordania, Libani, Turqia, Arabia Saudite dhe Tunizia.
Australia njoftoi të premten e shkuar se do të shtonte masat e kontrollit për bagazhet në fluturimet nga Dubai, Abu Dabi, Doha dhe Katari, por se nuk do të ndalonte përdorimin e pajisjeve elektronike në avion.
Zyrtarët e sigurisë kanë ngritur shqetësime rreth mundësisë të metodave të reja për fshehjen e mjeteve shpërthyese brenda pajisjeve elektronike që mund të shmangin zbulimin gjatë kontrollit në aeroporte, njoftoi javën e kaluar rrjeti televiziv CNN.
Lista e vendeve të prekura nga kufizimet elektronike nuk bie ndesh me vendet e prekura nga një urdhër ekzekutiv të muajit mars që ndalon udhëtimet nga gjashtë vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Ky urdhër është pezulluar si rezultat i një padie ligjore në Shtetet e Bashkuara. Këto shtete nuk kanë fluturime të direkte për në Amerikë dhe kufizimet e pajisjeve elektronike janë vetëm për fluturimet direkte nga të njëjtat rajone.
Disa kompani të linjave ajrore po përpiqen të mbajnë konsumatorët të kënaqur, duke ofruar paisje elektronike për disa pasagjerë. Në disa raste, pasagjerët mund të mbajnë pajisjet deri para se të futen në avion duke siguruar që mjetet elektronike pastaj të futen bashkë me bagazhet në vendin e caktuar për to në avion.