3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

SHBA-ja sërish kritika Qeverisë që s’po e zbaton vendimin për Manastirin e Deçanit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e vitit 2022 për Liritë Fetare.

Në raportin për Kosovën, ka kritika të mëdha ndaj vendit, ku thotë ndër të tjera se Qeveria e Kosovës sërish ka dështuar në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që i njihte Kishës Ortodokse Serbe pronësinë e tokës rreth Manastirit të Deçanit.

Në këtë raport përmendet se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) ka kritikuar zyrtarët e lartë të qeverisë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, që kundërshtonin meritat e vendimit të gjykatës duke i cilësuar si “politikisht të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”.

“Qeveria përsëri dështoi në zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që i njihte KOS-it pronësinë e tokës rreth Manastirit të Deçanit. KOS kritikoi vërejtjet e zyrtarëve të lartë të qeverisë, përfshirë Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, që kundërshtonin meritat e vendimit të gjykatës si ‘politikisht të papërgjegjshme dhe të rrezikshme’”, thotë mes tjerash ky raport.

Më tej, përmendet edhe rasti i muajit qershor 2022 kur “policia pengoi klerin e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) të kryente një liturgji me rastin e Ngjitjes së Shenjtë Ortodokse në kishën e kontestuar Krishti Shpëtimtar”.

Në pjesën për myslimanët, raporti thotë se disa shkolla vazhduan të zbatonin një direktivë të qeverisë që ndalonte veshjen fetare, duke ua mohuar kështu qasjen në shkollë nxënëseve myslimane që mbanin hixhab.

“Pati gjithashtu raporte për diskriminim ndaj grave myslimane që mbanin veshje fetare në punë publike dhe private”, thekson raporti i DASh-it.

Po ashtu, në raport janë trajtuar edhe ankesat e Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPEC), përfaqësuesit e Dëshmitarëve të Jehovait dhe laikët, të cilët “thanë se mungesa e mbështetjes institucionale për vendet e dedikuara të varrimit i pengonte ata të kryenin shërbimet e varrimit sipas bindjeve të tyre”.

DASh-i përmend edhe rastin e korrikut 2022 ku tre persona sulmuan imamin e fshatit Lupç në xhaminë e tij në Podujevë, duke shtuar se policia arrestoi tre personat e dyshuar për tentativë vrasje.

Më tej, thuhet se KOS-i është ankuar se “në shtator një individ ndaloi një autobus nga Serbia me pelegrinë, duke përfshirë fëmijë, pastaj u bërtiti pelegrinëve dhe vendosi një flamur të Kosovës në xhamin e përparmë të autobusit”.

Po ashtu, “përfaqësuesit e Unionit të Tarikateve të Kosovës (UKT) raportuan shqetësime rreth antisufizmit dhe portretizimeve negative në media”.

Raporti tregon se në polici janë raportuar 64 incidente që për cak kishin objektet fetare – 42 myslimane, 21 të KOS-it dhe një katolik – në nëntë muajt e parë të vitit 2022.

“KOS-i raportoi raste të vandalizmit kundër kishave të saj, duke deklaruar se disa ishin të motivuara fetarisht dhe etnikisht dhe duke ia atribuuar ato retorikës politike anti-serbe”.

Sipas këtij raporti, zyrtarët e ambasadës amerikane kanë vazhduar të inkurajojnë qeverinë që të miratojë legjislacionin që lejon grupet fetare të fitojnë status ligjor, të zbatojë mekanizmat për të mbrojtur lirinë e fesë, të zbatojë ligjet dhe vendimet gjyqësore që kanë të bëjnë me objektet fetare të KOS-it dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet pronësore të KOS-it.

“Ambasadori dhe përfaqësues të tjerë të ambasadës diskutuan çështjet e lirisë fetare, duke përfshirë mbrojtjen e barabartë dhe shqetësimet e të drejtave pronësore, me udhëheqës fetarë dhe të shoqërisë civile dhe inkurajuan tolerancën fetare dhe përmirësimin e dialogut ndërfetar”.

“Në mars, ambasada organizoi një diskutim ndërfetar me udhëheqës fetarë – i pari që përfshin udhëheqës nga komunitetet Tarikat, Bektashi dhe Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (Kisha e Jezu Krishtit) – mbi pluralizmin fetar, dialogun ndërfetar, mbrojtjen të drejtave dhe lirive individuale, si dhe ndryshimet ende në pritje të ligjit për lirinë fetare”.

Përmbledhja ekzekutive e raportit përfundon duke përmendur se ambasadori amerikan ka vizituar objektet fetare të KOS-it dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për të mbajtur marrëdhënie pozitive dhe dialog me liderët fetarë për të promovuar lirinë universale fetare pa diskriminim.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img