Site icon PrishtinaPress

ShBA-ja nis hetime ndaj Bankës Raiffeisen, shkak biznesi i saj i lidhur me Rusinë

Autoriteti i sanksioneve i Shteteve të Bashkuara ka filluar një hetim ndaj Bankës “Raiffeisen International” për biznesin e saj në lidhje me Rusinë, duke e shtuar vëzhgimin ndaj huadhënëses austriake që luan një rol kritik në ekonominë ruse.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të agjencisë “Reuters”, banka tha se ka pranuar një kërkesë nga Zyra për Kontrollimin e Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të ShBA-së “për t’i qartësuar biznesin dhe proceset e ndërlidhura, që mirëmbahen nga RBI-ja, pas zhvillimve të fundit të lidhura me Rusinë dhe Ukrainën”, shkruan Nacionale.

Kjo zyrë ka kërkuar nga Banka Raiffesien hollësi të shpërfaqjes së saj në Rusi, në Donbasin e pushtuar pjesërisht, në Ukrainë dhe në Siri, përfshirë transaksionet dhe aktivitetin e klientëve të caktuar, i tha një burim agjencisë “Reuters”.

Agjencia amerikane ka kërkuar që përgjigja t’i kthehet në muajin shkurt, tha një person, duke shtuar se avokatët e bankës kanë negociuar për zgjatje të afatit, duke u zotuar se do t’u përgjigjeshin pyetjeve në tri grupe informacionesh që do të dërgohen në fillim të prillit, në maj dhe në qershor.

Një zëdhënës i Departamentit të Thesarit refuzoi që ta komentonte këtë çështje.

Banka Raiffesen i tha agjencisë “Reuters” në një deklaratë se është duke bashkëpunuar plotësisht me Zyrën për Kontrollimin e Pasurive të Huaja dhe se kupton që kërkesa nuk është nxitur nga ndonjë transaksion apo biznes specifik. Banka tha se ka në fuqi procese për ta garantuar respektimin e sanksioneve.

Një zëdhënës i bankës tha se “ka besim që informatat e ofruara për Zyrën për Kontrollimin e Pasurive të Huaja do ta plotësojnë kërkesën e saj”, duke shtuar se pyetjet kanë qenë të “natyrës së përgjithshme”.

Banka Raiffeisen nuk është sanksionuar në të kaluarën, por kërkesa e janarit për të ofruar informacione është duke i shqetësuar rregullatorët financiarë evropianë që janë përgjegjës për mbikëqyrjen e saj për shkak të potencialit që kjo kërkesë të çojë në ndëshkime të menjëhershme ndaj bankës, thanë dy persona me njohuri të drejtpërdrejta rreth kësaj çështjeje.

Banka Raiffesien është thellësisht e ngulitur në sistemin financiar të Rusisë dhe është njëra nga dy bankat e vetme të huaja në listën e Bankës Qendrore të Rusisë të 13 “institucioneve vazhdimisht të rëndësishme për kredi”, duke e vënë në pah rëndësinë e saj për ekonominë ruse, e cila po ballafaqohet me sanksione të fuqishme perëndimore.

Një vit pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Banka Raiffeisen është në mesin e pak bankave evropiane që ende mbeten në Rusi.

Exit mobile version