2.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

SHBA-ja në kërkim të shteteve ku mund t’i zhvendosë afganët e strehuar në Kosovë

Mbi 1 mijë refugjatë afganë u patën pranuar më 2021 në kampin amerikan Liya, në Kosovë, që pas rënies së serishme të Afganistanit në duar të talebanëve.

Që prej asaj kohe, pjesa më e madhe e tyre janë larguar, porse ka ende të tillë që janë ende në proces të verifikimit të sigurisë apo që kanë dështuar në këtë vlerësim. Në Ambasadën amerikane në Prishtinë e konfirmuan këtë teksa shtuan se me partnerët ndërkombëtarë po punohet në funksion të identifikimit të shteteve që do t’i pranonin ata

Afro dy vjet që prej hapjes për pranimin e mbi 1 mijë refugjatëve afganë, në kampin amerikan Liya, në Kosovë, ndodhen ende persona që janë në proces të verifikimit të sigurisë dhe që kanë dështuar në këtë proces.

Në këtë kamp janë strehuar kryesisht ata afganë që kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, e që janë larguar në mënyrë të organizuar nga Afganistani, pas rënies së vendit sërish në duar të talebanëve në gushtin e 2021-tës.

Në Ambasadën amerikane në Kosovë konfirmuan për KOHËN se nga mesi i të ardhurve ka persona që nuk e kaluan verifikimin, porse nuk ofruan të dhëna mbi numrin e atyre të cilëve u pamundësohet largimi drejt Shteteve të Bashkuara.

“Nuk komentojmë për raste konkrete. Verifikimi është gjithëpërfshirës, kërkon kohë dhe përfshin agjenci të shumta qeveritare. Deri më tash, shkaku i zemërgjerësisë së Kosovës, mbi 1000 afganë që janë evakuuar nga kampi Liya janë verifikuar dhe kanë shkuar në Shtetet e Bashkuara. Për individët që nuk mund të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara, do të punojmë me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të identifikohen shtetet që do ta pranojnë rilokimin e këtyre afganëve”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Për personat e mbetur, sipas Ambasadës, po punohet drejt finalizimit të procesit të verifikimit.

“Fillimisht duam ta ritheksojmë në emër të Shteteve të Bashkuara mirënjohjen për Kosovën, për zemërgjerësinë e saj për t’i strehuar afganët në pozitë të ndjeshme. Për afganët që janë përkohësisht në kampin Liya në Bondsteel kemi dy prioritete: e para që t’i mbrojmë afganët në pozitë të ndjeshme, dhe e dyta, mbrojtja e sigurisë kombëtare të SHBA-së. Për t’u siguruar lidhur me këto, një ekip i koordinuar ndërmjet agjencive të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara po punon intensivisht në verifikimin e afganëve në pozitë të ndjeshme, në mënyrë që të përcaktojë atë se a mund të vazhdojnë për në Shtetet e Bashkuara”.

Burime të KOHËS kanë thanë se në kampin Liya aktualisht janë më pak se 100 refugjatë, përfshirë edhe fëmijët. Sipas burimeve, mbi 20 syresh nuk i kaluan verifikimet e sigurisë që ua mundësojnë vendosjen në SHBA, me status refugjati.

Vitin e kaluar rreth 130.000 afganë kërkuan azil në shtetet e Bashkimit Evropian e vetëm në janarin e këtij viti, mbi 12.000.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img