Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar ashpër Rusinë për pezullimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OKB-ja për të lehtësuar eksportin e drithit ukrainas përmes Detit të Zi, duke thënë se Moska po e përdorë krizën ushqimore si armë në luftë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kërkoi Moskës më 30 tetor që “të rifillojë pjesëmarrjen e saj në iniciativë”, duke shtuar se që nga fundi i korrikut marrëveshja kishte mundësuar eksportin e më shumë se nëntë milionëve tonë drithëra, gjë që ka bërë të “ulen çmimet në mbarë botën dhe ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme sidomos për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”.
Rusia njoftoi sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, më 29 tetor se ka pezulluar marrëveshjen, me arsyetimin se nuk mund të “garantonte sigurinë e anijeve civile” që udhëtonin sipas paktit.
Moska përmendi gjithashtu “sulmet terroriste” kundër flotës së saj të Detit të Zi pranë rajonit të okupuar ukrainas të Krimesë, si një arsye për pezullimin e programit ushqimor.
Në të njëjtën ditë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri thirrje që Rusia të përjashtohet nga Grupi i 20 ekonomive kryesore globale (G20).
Edhe Kombet e Bashkuara kanë kërkuar që e marrëveshja për eksportin e grurit mes Ukrainës dhe Rusisë, e cilia ishte ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia, të vazhdohet.
Marrëveshja fillestare ishte caktuar të zgjaste 120 ditë, me opsionin për ripërtirje më 19 nëntor “nëse asnjë palë nuk kundërshton”, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric në një deklaratë më 28 tetor.
Marrëveshja çliroi eksportet nga tri portet e Ukrainës – Odesa, Chornomorsk dhe Yuzhne – të cilat ishin bllokuar që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit.
Me këtë marrëveshje u lejua që afro nëntë milionë tonë drithë të largoheshin nga këto tri porte.
Rusia dhe Ukraina janë të dyja furnizuese kyçe të drithërave, dhe konflikti i vazhdueshëm vetëm ka vënë në pah brishtësinë e zinxhirit global të furnizimit me ushqime, kur dy shtetet kryesore janë jashtë tregut.
Më 2021, Rusia dhe Ukraina janë renditur si lidere globale në eksport të elbit, misrit, luleve të verdha për vajra, farave të lulediellit dhe vajit të lulediellit.
Së bashku, ato eksportojnë pothuajse 30 për qind të furnizimeve me grurë në botë. Rusia eksporton 17 për qind të grurit në nivel botëror, ndërsa Ukraina rreth 20 për qind të luleve të verdha për vajra. /Rel