Site icon PrishtinaPress

SHBA ia çel dyert Kosovës për të shkolluar pilotë në Akademinë e Forcave Ajrore

​Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, po qëndron për vizitë në SHBA, nga ku ka njoftuar për takimet dhe aktivitetet tjera që ka pasur. Bëhet e ditur se nga vitit 2018 një kosovar mund të konkurrojë për t’u pranuar në Akademinë e Forcave Ajrore të SHBA.

Ky është njoftimi: 

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Kosovës Vlora Çitaku, atasheu i Mbrojtjes në SHBA kolonel Ilir Qeriqi, atasheu i Mbrojtjes së SHBA-ve në Prishtinë koloneli Jeffrey H. Fisher si dhe nga komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës gjeneralmajor Timothy Orr, më 17 maj 2018 mori pjesë  në  ceremoninë e 25-vjetorit të Programit të Partneritetit Shtetëror (SPP) të Gardës Kombëtare të SHBA-ve, ku u prit nga gjeneral Joseph L. Lengyel, Komandant i Byrosë së Gardës Kombëtare në Kolegjin Kombëtar të Luftës, Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare Ft McNair, Washington DC.

Gjeneral Rama e falënderoi Gjeneralin Lengyel për partneritetin e jashtëzakonshëm. Ai theksoi vizitën e fundit në Kosovë të mbi 100 qytetarëve të Ajovës nga sektorë të shumtë si: arsimi, bujqësia, biznesi i vogël, sporti, ushtria, siguria. Në veçanti e falënderoi për kontributin e zhvillimit të ushtrimit fushor “Shqiponja 6”.

Në kuadër të kësaj vizite, gjeneral Rama u takua me zyrtarët të lartë të Departamenti të Shtetit, Mr. Matt Palmer dhe me ndihmës asistenten e Sekretarit të Mbrojtjes Ms. Laura Copper me të cilët diskutoi mbi zhvillimet e fundit në FSK, sfidat e sigurisë ne rajon dhe procesin e tranzicionit të FSK-së në FAK. Gjeneral Rama i njoftoi me të arriturat e deritashme të FSK-së si një forcë e besueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe i falënderoi për mbështetjen e deritashme.

Gjeneral Rama po ashtu pati takim në Senat, ku u takua me Senatoren Joni Ernst nga Ajova. Me këtë rast biseduan lidhur me zgjerimin dhe dinamizmin e Partneritetit Ndërshtetëror. Gjithashtu Gjeneral Rama u takua me kongresmenin Mike Turner nga Komitetit për NATO, me të cilin pati mundësi diskutimi lidhur me hapat dhe proceset e mundshme për integrim në strukturat e sigurisë rajonale dhe euroatlantike, si dhe e njoftoi për bashkëpunimin e FSK-së me NATO-n.

Gjeneral Rama pati rastin dhe nderin të takonte të ftuarën e nderit për këtë mbrëmje, zonjën Dr. Heather Wilson, më ç’rast theksoi vlerën e partneritetit dhe aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mbështetur në orientime perëndimore dhe euroatlantike që ka Kosova.

Gjeneral Rama me Sekretaren e Forcave Ajrore biseduan edhe mbi mundësinë për të përmirësuar sigurinë kibernetike në Kosovë përmes mbështetjes së Forcave Ajrore, si zonë kryesore e misionit të Forcave Ajrore të SHBA-së. Në mënyrë të veçantë ai e falënderoi atë për mundësinë e përfshirjes së Kosovës për të konkurruar për herë të parë, për një vend (kadetë) në Akademinë e Forcave Ajrore të SHBA-së në vitin 2019.

Gjeneral Rama pati mundësinë të vizitonte edhe Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, ku për herë të parë, duke filluar nga gushti i këtij viti, një pjesëtar i FSK-së dhe një anëtar i PK-së, do të marrin pjesë në këtë universitet. Ky bashkëpunim do të mundësojë zhvillimin profesional të mekanizmave të sigurisë në vend.

Po ashtu ai ka pasur edhe një vizitë të shkurtër në Akademinë e Trajnimit të Shërbimit të Emergjencave të Uashingtonit.

Komandanti i FSK-së gjatë qëndrimit në SHBA u intervistua nga Zëri i Amerikës, mediat e Gardës Kombëtare dhe nga gazetarja e NBC.

Exit mobile version