15.7 C
Pristina
Saturday, September 28, 2024

Buy now

spot_img

ShBA: Burg përjetë plus 190 vjet pasi vrau 5 dhe plagosi 19 në një klube nate LGBTQ+

Personi i armatosur që shtiu me armë zjarri në një klub nate të komunitetit LGBTQ+ në Kolorado më 2022, duke vrarë pesë e duke plagosur 19 të tjerë, është dënuar nga gjykata federale të martën me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, plus 190 vjet.

Dënimi ndaj Anderson Lee Aldrich erdhi pasi ai u deklarua fajtor ndaj 74 akuzave federale për krime të urrejtjes dhe akuza për armë në lidhje me të shtënat. Prokurorët zgjodhën të mos marrin vendim për dënim me vdekje në këtë rast dhe Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së njoftoi në janar se kishte arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë me Aldrich.

Aldrich, 24-vjeç, tashmë po vuan pesë dënime të përjetshme të njëpasnjëshme dhe 2212 vite të tjera pa mundësinë e lirimit me kusht në burgun e shtetit të Wyoming pasi u deklarua fajtor në vitin 2023 për akuzat shtetërore për sulmin, i cili kishte për cak një nga hapësirat e pakta LGBTQ+ në Kolorado Springs.

Në deklaratën dënuese të dorëzuar në gjykatë përpara seancës dëgjimore të së martës, Departamenti i Drejtësisë i quajti të shtënat një sulm “të pacipë dhe të kalkuluar” ndaj punonjësve dhe klientëve të klubit, duke e përshkruar atë si një “sulm të motivuar nga paragjykimi, i paramenduar, me viktima masive”.

Aldrich filloi masakrën në klub ndërsa klientët po mblidheshin për Ditën e Kujtesës së Transgjinorëve, për të cilën Club Q kishte planifikuar një fundjavë me ngjarje, duke përfshirë një “drag show”.

Sulmuesi shpenzoi më shumë se 9,000 dollarë duke blerë armë dhe e vizitoi klubin disa herë më parë, duke u njohur me ambientin, sipas dokumentit të dënimit. Aldrich kishte shprehur një urrejtje të hapur për komunitetin LGBTQ+ dhe kishte treguar interes për të shtëna masive më parë, thuhej në dokument.

Më pas, në orët e vona të 19 nëntorit 2022, 22-vjeçari i atëhershëm hyri në klub duke mbajtur një pushkë sulmi të stilit AR-15 dhe filloi “të qëllonte ndaj të gjithëve që i dilnin përpara”, sipas dokumentit të dënimit. Disa klientë u fshehën ose shtireshin të vdekur ndërsa Aldrich lëvizte nëpër klub, duke qëlluar pa dallim.

Dhuna mori fund kur një veteran i ushtrisë rrëzoi sulmuesin, i ndihmuar nga një oficer i ri i Marinës dhe një “drag” performues në klub.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img