Site icon PrishtinaPress

Shatri: Ekonomia nuk zhvillohet me fjalë, asnjë investim s’ka ndodhur për këto vite

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se vlerësimi i Bankës Qendrore për një rritje ekonomike prej 3 për qind, mund të jetë edhe më ulët krahasuar me realitetin në vend.

Ish-ministri ka thënë se kjo matje nuk mund të jetë reale, pasi sipas tij gjendja është më ndryshe në terren.

Ai ka përmendur edhe disa faktorë që kjo rritje sipas tij nuk mund të jetë më e madhe.

“Ne e kemi një vlerësim të Bankës Qendrore për një rritje pak mbi 3 për qind, Qeveria kur ka hyrë në vitin e ri buxhetor, rritjen e buxhetit e ka vlerësuar me një rritje mbi 10 për qind, dhe mendoj se ajo rritje ka qenë e pamatur mirë dhe nuk ka qenë reale. Kjo shifra e BQK-së i besoj shumë dhe nuk bën matje të dirigjuara por në bazë të indikatorëve të cilët e mundësojnë zhvillimin ekonomik. Unë frikësohem që edhe shifrat që i ka dhënë Banka Qendrore janë pak më shumë optimiste sesa është realiteti në Kosovë, sepse nuk ka asnjë indikator që ka ndodh në zhvillimin e këtij viti, të cilët premtojnë që mund të ketë një zhvillim ekonomik më të lartë”, u shpreh Shatri për E.O.

Shatri ka thënë se bazuar në ndaljen e investimeve kapitale, është dëmtuar tej mase ekonomia vendëse. Ai ka ngritur si pyetje nëse është bërë ndonjë investim i madh infrastrukturor për gjatë këtij mandati qeverisës.

“Unë do të jem i lumtur që rritja ekonomike do të ndodhte 3 për qind. Në këtë vit të kësaj qeverie çka vërehet në jetën e përditshme që të flas për një zhvillim. A është ndërtuar ndonjë rrugë, a është ndërtuar ndonjë shkollë apo është bërë ndonjë investim kapital në energji apo strukturë që e ndihmon zhvillimin ekonomik?, absolutisht asnjë qëndrim nuk ka ndodhur, përveç fjalëve e me fjalë ekonomia nuk zhvillohet”, u shpreh tutje Shatri.

Tutje Shatri ka thënë se Qeveria ka mjaftueshëm mjete për t’i përdorur në këtë kohë krize. Madje, sipas Shatrit masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë mund të bëheshin edhe pa pasur fare ekzekutiv.

“Qeveria do duhej të ishte më proaktive dhe t’i shfrytëzonte mundësitë që ia jep ligji dhe Kushtetuta si institucion ekzekutiv në politikat makro-ekonomike. Këta çka po bëjnë, po i mbledhin disa para të cilat janë të parapara me ligjet përkatëse, dhe po i shpërndajnë dhe asnjë veprim tjetër i kësaj qeverie nuk po shihet, thjesht po ndodh diçka që do të ndodhte edhe po të mos kishte Qeveri”, u shpreh Shatri./Prishtinapress/

Exit mobile version