1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Shasha pasi u ngrit aktakuzë ndaj tij: Jam i befasuar, si dëshmitar kam dhënë deklaratë në polici e prokurori

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, kundër  pesë personave për keqpërdorim të autoritetit zyrtar, ndër të cilët janë ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, sekretari i asaj kohe në këtë ministri, Demush Shasha, zyrtarët e tjerë, Nuhi Osmani, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Uka.

Në lidhje me këtë aktakuzë, Demush Shasha ka thënë se është i befasuar që i është ngritur aktakuzë pasi siç thotë ai ka dhënë deklaratë në polici në cilësinë e dëshmitarit.

“Nga mediat mora vesh që më është ngrit aktakuza lidhur me një kontratë të cilën kam REFUZUAR të nënshkruaj dhe kam qenë gati të pranoj edhe koston personale për këtë refuzim. Jam i befasuar nga vendimi i prokurorisë pasi që në cilësi dëshmitari kam dhënë deklaratën në polici. Në cilësi dëshmitari kam dhënë deklaratë edhe në prokurori”, shkruan ndër të tjera Shasha.

Ai u shpreh se, “Papritmas, javën e kaluar, prokuroria më ka ftuar edhe në cilësi të pandehurit. Gjatë intervistës nuk kam arritur të kuptoj se çfarë e ka shtyrë prokurorinë të më ri-cilësoj mua nga të qenurit dëshmitar në të qenurit i pandehur”.

“Sidoqoftë, thonë kur nuk e ke mizën pas veshit e ke lehtë. Nuk e kam mizën pas veshit sepse që nga fillimi kam marr çdo hap në përputhje me ligjin dhe për hir të transparencës kam shkuar edhe më larg duke dërguar të gjithë kontratën për interpretim në institucionet sikur Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik – vetëm dhe vetëm për tu siguruar se asnjë veprim i MIE-së të mos jetë në kundërshtim me ligjin. Prandaj, sot nuk e kam mizën pas veshit”, shkruan ndër të tjera Shasha.

Ai për fund tha se kritikat e tij janë të njohura dhe se do të vazhdojë të flas për nevojën e ndërtimit të institucioneve kredibile.

“Për fund edhe një gjë. Kritikat e mija për shtetin e kapur janë publikisht të njohura. Unë në vazhdimësi kam folur dhe flas për nevojën e ndërtimit të institucioneve kredibile sepse i kuptoj pasojat e rrezikshme të cilat mund vijnë nga një shtet i kapur. Flas sepse kam parë nga dora e parë se brenda institucioneve ka politikanë dhe shërbyes civil të shkëlqyeshëm të cilët shërbejnë me dinjitet në interesin e shtetit”, thotë ai.

Tutje, Shasha shtoi se, “Kam parë nga dora e parë se brenda sistemit të drejtësisë ka profesionistë të jashtëzakonshëm të cilët mund të ofrojnë qytetarëve një drejtësi që e meritojnë. Një drejtësi të pavarur para së cilës të gjithë jemi të barabartë. Prandaj, larg qoftë se ky zhvillim do më ndaloj nga kritikat për gjendjen tonë në vend. Përkundrazi”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img