1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Shaqiri: Përballja me Kosovën do të jetë emocionuese, do ta shijoj çdo moment duke luajtur atje

Ky vit do të jetë ndoshta më speciali në jetën e Xherdan Shaqirit.

Së bashku me shokët e Kombëtares së Zvicrës, futbollisti kosovar do ta vizitojë vendlindjen e tij, Kosovën, në pjesën e dytë të vitit.

“Helvetikët” do ta kenë një përballje të dyfishtë me Kosovën në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.

Dhe, futbollisti i lindur në Gjilan mezi e pret përballjen me vendin e prindërve të tij.

31 vjeçari pret që, ai me shokë, ta kenë një mikpritje të ngrohtë në Kosovë, ku prezentë në stadium do të jenë edhe familjarët e tij.

Shaqiri e ka dhënë një intervistë për gjigantin mediatik britanik “The Guardian”, të cilit ia ka shpalosur emocionet që i ndien para kësaj ndeshjeje speciale për të, por edhe për Granit Xhakën, përcjell “Gazeta Express”.

“Unë luaj për Zvicrën, por jam lindur në Kosovë dhe i dua të dyja vendet. Do ta jap 100 për qindëshin nga vetja për Zvicrën. Do të jetë një moment krenarie, natyrisht. Do ta shijoj çdo moment duke luajtur atje sepse krejt familja ime do të vijë në stadium. Do të jetë mjaft emocionuese për mua. Dhe, jam i sigurt se do ta kemi një mikpritje të ngrohtë”, shprehet fillimisht Shaqiri.

Ai ndërkohë zbulon se pas luftës e ka vizituar Kosovën kohë pas kohe.

Por, aty s’kishte se çka të shihte kohë më parë.

“Shtëpia e jonë ishte djegur. Në mure ishin shkruar gjëra. Gjithçka ishte e thatë”, e kujton periudhën e pasluftës Shaqiri.

Ai shpreson të rikthehet si futbollit për ndeshjen kualifikuese, në një eksperiencë që shpreson të jetë pozitive për të gjithë.

Rrugëtimi i Shaqirit

Xherdan Shaqiri është njëri prej futbollistëve kosovarë që e kishte fatin të rritej në perëndim.

Familja e tij e kishte marrë rrugën drejt kurbetit për ta shmangur luftën që po niste në ish-Jugosllavi.

Dhe, futbollisti nga Zhegra e Gjilanit u lind në vitin 1991.

Pas ditëlindjes së tij të parë, familja Shaqiri vendosi ta merrte rrugën drejt Zvicrës.

E për rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë në jetë dhe në karrierë, futbollisti kosovar ka folur gjerë e gjatë për “The Guardian”, përcjell “Gazeta Express”.

Lëvizja drejt shtetit helvetik ia mundësoi sigurinë familjes Shaqiri.

Por, nuk ishte aspak e lehtë të nisej një jetë nga zeroja.

“Nëse e ndërron vendin, po shkon në një vend ku nuk e njeh askënd”, thotë fillimisht përfaqësuesi zviceran.

“Unë nuk vija nga një familje e pasur. Prindërit e mi punonin fort. Ne nuk e kishim kohën më të mirë në atë periudhë. Mirëpo, ndonjëherë kjo të bën më të fortë”, shton Shaqiri.

Ata u vendosën në Augst, Zvicër, në vitin 1992.

Babai i tij bënte punë fizike, ndërsa nëna e tij pastronte zyre të ndërtesave.

Ata mblidhnin para për t’ju dërguar edhe pjesëtarëve të familjes që i kishin lënë prapa.

Shaqiri thotë se ishte i vetmi i huaj në shkollë.

Dhe, futbolli ishte streha e tij.

“Në sport, ju gjithmonë e keni mundësinë për të shpëtuar nga këto lloj gjërash. Të rritesh si person, të jesh konkurrues, të mësosh kultura të reja”, e vazhdon rrëfimin për “The Guardian” Shaqiri.

Talenti i tij ra në dukje nga skautët e ekipit zviceran, FC Basel.

Në eksperiencën e tij të parë në futbollin profesionist, ai e ndihmoi ekipin ta fitonte tri herë titullin e kampionit të Zvicrës dhe ndërkohë dy herë e fitoi Kupën e Zvicrës për tri vjet.

Më pas, në vitin 2012 ai lëvizi drejt Bayern Munichut, ku e fitoi treshen e famshme të trofeve në sezonin 2012/13.

Tutje, Shaqiri e pati një eksperiencë të shkurtër në Inter, e ndjekur më pas nga lëvizja drejt Stoke Cityt.

Por, rënia e këtij ekipi në Championship në vitin 2018 ia hapi derën e transferimit në Liverpool, me kërkesë të trajnerit Jurgen Klopp, ndërsa e luajti një rol të rëndësishëm në suksesin e klubit, i cili e fitoi Ligën e Kampionëve dhe Premierligën.

Ai ishte protagonist sidomos në përmbysjen që “Reds” ia bënë në gjysmëfinale Barcelonës.

“Kush do ta harrojë atë që e bëmë ne atë nat”, thotë tutje Xherdani.

Liverpooli fitoi me rezultat të përgjithshëm 4:2 dhe më pas e mposhti Tottenhamin në finale, duke bërë që Shaqiri ta merrte medaljen e dytë të artë të Championsit.

Ndërkohë, Shaqiri e provoi një eksperiencë të shkurtër në Lyon në francë, për të vazhduar më pas me transferimin përtej Atlantikut, në ekipin e ligës MLS, Chicago Fire.

Një transfer rekord për klubin amerikan, ku ai ka nisur të bëhet protagonist.

Shaqiri thotë se po mundohet ta ndryshojë mentalitetin e klubit dhe ta bëjë atë një ekip fitimtar.

Jashtë fushës së blertë, futbollisti ofanziv po e shijon jetën në Chicago.

Ai krahas futbollit, gjeti kohë ta shikonte finalen e Super Bowl, që u mbajt në Arizona të SHBA-ve, shkruan “Gazeta Express”.

Synon të luajë edhe në Botërorin 2026

Ndërkohë, Shaqiri ishte mjaft i suksesshëm edhe me Kombëtaren e Zvicrës, tek e cila debutoi në vitin 2010.

Ai i ka zhvilluar 112 ndeshje me “Helvetikët”, duke marrë pjesë në katër Kupa të Botës.

Në vitin 2026, Kampionati Botëror do të mbahet në SHBA, Kanada dhe në Meksikë.

“Shpresoj që do të mundë të luaj në atë turne. Ne e dimë se amerikanët dinë të organizojnë gara të mëdha shumë mirë. Jam i sigurt se do të jetë njëri prej Botërorëve më të mirë. Ndoshta këtu futbolli nuk është sporti kryesor, por mendoj se njerëzit do të dëfrehen dhe do të kënaqen”, thotë tutje Shaqiri.

Para kësaj, Zvicra e ka fokusin të kualifikohet në Euro 2024, i cili do të mbahet në Gjermani.

Zvicra është pjesë e Grupit I së bashku me Kosovën.

Vendi ku është lindur ai dhe vendi ku është rritur.

Në Botërorin 2018, Shaqiri në këpucët e tij sportive i vendosi flamujt e të dyja vendeve, shkruan “Gazeta Express”.

Në moshën 31 vjeçare, Shaqiri po hyn në vitet e fundit të karrierës.

Megjithatë, ai është ende i vendosur që ta vazhdojë rrugën e nisur mes sakrificës dhe vendosmërisë.

Kemi ende se çka të presim dhe të shohim nga Shaqiri…/PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img