Site icon PrishtinaPress

“Shantazhe, shpifje”, “as një sekondë s’duhet të rrish aty”, ministrja Hajdari përplaset me deputetët e PDK-së

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është përfshirë në një debat parlamentar me deputetët e PDK-së, pasi kjo parti propozoi në seancën e sotme të Kuvendit një rezolutë për gjendjen në dikasterin me të cilin udhëheqë ajo, duke pretenduar se ajo “ka shënuar dështim dhe skandale të vazhdueshme gjatë këtij mandati qeverisës”.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala foli për skandale dhe afera të shumta në këtë ministri, të cilat ministrja Rozeta Hajdari i quajti “informata gjysmake, të paplota”, me të cilat kjo parti, sipas saj është “duke krijuar shantazhe, shpifje dhe më shumë”.

“A janë dokumentuar në ndonjë raport të Auditorit këto skandale? A ka ndonjë shkelje në raport të Auditorit?”, u përgjigj kështu Hajdari.

Shala e pyeti ministren se “pse i ke shkarkuar 7 sekretarë?”.

“Unë e di që janë më pak, janë ushtrues detyre. Unë jam ministre e përgjegjshme që kur bëhet një gabim ose nuk ka mundësi të menaxhojë, duhet të ndërrohet. Dhe s’ka asgjë personale me këta zyrtarë”, tha ministrja.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se “ministrja në një formë apo një tjetër i konfirmoi pretendimet tona për keqpërdorimet që kanë ndodh”.

“As edhe një sekondë s’duhet të rrish në atë karrigë ku je”, tha ai ndër tjerash.

Exit mobile version