Njohësi i sigurisë, Drizan Shala në lidhje me takimin e 2 majit që pritet të zhvillohet në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq ka deklaruar se Ura e Ibrit do të jetë temë diskutimi në takimin Kurti – Vuçiq.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala në lidhje me takimin e 2 majit që pritet të zhvillohet në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk e ka përjashtuar si mundësi që temë diskutimi e këtij takimi të jetë vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim.
Në RTV Dukagjini, Shala ka thënë se çështja e pagjeturve që është pjesë e agjendës së këtij takimi do të jetë shkak që pala serbe të insistojë të evitohet kjo temë dhe të diskutohet për hapjen e Urës së Ibrit.
“Pikërisht çështja në këtë takim do të jetë Ura e Ibrit, Serbia do të insistojë që çështja e të pagjeturve të mos hapet fare. Në këtë aspekt pala serbe nuk do të lejojë të diskutohet për të pagjeturit dhe do të mundohet që të mos jetë fare pjesë e diskutimeve”, ka thënë Shala.
Ai ka thënë se Ura e Ibrit është “fragmenti i fundit i pushtetit të Serbisë në Republikën e Kosovës” dhe sipas tij vendimi për hapjen e kësaj ure nuk do të bëhet pa ndonjë incident eventual në atë pjesë.
Ndryshe, të martën e 2 majit në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.