Site icon PrishtinaPress

Shala: Thaçi e Haradinaj më erdhën në shtëpi me një makinë, por bisedën e ka udhëhequr Haradinaj

Deputeti i NISMA Socialdemokrate, Haxhi Shala ka komentuar votën e tij në zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Shala në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Thaçi e Haradinaj kanë shkuar bashkë në shtëpinë e tij pa dashur të paragjykojë nëse janë takuar apo jo rastësisht rrugës.

“Haradinaj ishte më insistues. Në shtëpi më kanë ardhur si miq. Te unë erdhën bashkë me një makinë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

“Për numrat ka folur zoti Haradinaj. Komplet bisedën e ka udhëhequr Haradinaj. Thaçi vetëm më ka thënë shko në Parlement dhe mos u ndajë nga shokët”, shtoi tutje Shala.

Deputeti i NISMA-s thotë se Haki Abazi apo Shkëlzen Gashi kanë qenë ndër personat që ka dashur t’i dërgojë në shtëpi me votën pro qeverisë së Avdullah Hotit.

Shala thotë se janë spekulime zërat se ai ka kërkuar ndonjë post ministror.

“Në këtë krizë nuk është mirë edhe të jesh ministër”.

Ai thotë se personalisht nuk kishte dashur që NISMA të jetë pjesë e qeverisë, por të jepte vetëm votën për këtë qeveri.

“Partia do të ishte forcuar më shumë nëse do të qëndronim në opozitë”, tha ndër të tjera Haxhi Shala./Telegrafi/

Exit mobile version