Site icon PrishtinaPress

Shala: KFOR-i është dashur t’i marrë për bazë deklarimet e institucioneve

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, është sinjal i qartë që situata në veri të Kosovës duhet të merret më seriozisht.

Shala ka thënë se një pjesë të fajit e ka edhe KFOR-i, të cilët janë të thirrur për garantim të lëvizjes së lirë.

Shala u shpreh se deklarimet e krerëve institucional për situatën në veri, është dashur të merren më seriozisht nga KFOR-i.

Thotë se grupet kriminale kanë për synim rrezikimin e sigurisë nacionale.

“Sa i përket çështjes së mbrëmshme e cila vet KFOR-i e ka konfirmuar që në afërsi të patrullave të tyre ka pasur të shtëna me armë zjarri, kjo de-facto po e paraqet një situatë ku duhet të mbështetet edhe deklarimi i krerëve institucional të Kosovës që pjesë përbërëse e këtyre barrikadave janë njerëz të armatosur e që kanë për qëllim ta cenojnë dhe ta rrezikojnë sigurinë nacionale të Kosovës, të bëhen ndryshime Kushtetuese dhe me këtë fakt që nga data kur ka filluar barrikada e deri më tani, KFOR-i ka hasur në deklarimet që janë bërë nga ana e politikës kosovare dhe e kanë kuptuar që në atë pjesë ku policia e Kosovës nuk po mundet ta shtrijë autoritetin e saj, është si pasojë e këtyre grupeve”, thotë Shala.

Teksa ka folur për situatën në përgjithësi, Shala thotë se KFOR-i de-facto e ka lejuar që situata të jetë e tillë në veri. Sipas tij, në mandatin e saj, KFOR-i e ka për detyrë të ofrojë garantim të lëvizjes së lirë për të gjitha komunitetet.

“Çështja është se nga momenti që jemi në ditën e 16-të të barrikadave dhe nuk është krijuar dhe nuk është zbatuar mandati dhe misioni që e ka KFOR-i për garantimin e lëvizjes së lirë, këta de-facto kanë lejuar që kjo çështje të politizohet, sepse nuk dashur nga institucionet e Kosovës e as nga KFOR-i të qëndrojë indiferent dhe të bëjë patrullime përmes rrugëve alternative dhe kështu disi ta lë këtë çështje në duart e autoriteteve kosovare, pra këtu është problemi më i madh sepse KFOR-i ka mandat dhe obligim që ta zbatojë vendimin për garantim të lëvizjes së lirë për të gjitha komunitetet”, thotë Shala, teksa ka përmendur edhe deklaratat e shefit të shtabit të ushtrisë serbe, i cili deklaroi se është nisur “urgjentisht për në Rashkë”.

“Ne bazuar në deklarata shohim në teren disa ndryshime, që kanë armë të ndryshme, njerëz që do të lëvizin në bazë të konturave kanë lëvizje ushtarake, pra tregon se ka një strukturë që vepron dhe koordinon veprimet, që në rast se do të ketë ndërhyrje, të dihet se sa forca janë në brendësi të barrikadave, ndërsa në anën tjetër sa mund të ketë forca që mund të hyjnë në mbështetje të këtyre njësive përkatëse. Pra tregon që Serbia është e involvuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në barrikada, dhe këto barrikada janë krijuar fillimisht për interesa politike të presidentit Vuçiq, por me kalimin e kohës janë interferuar edhe disa interesa të grupeve kriminale, siç janë atë të Milan Radojqiqit”, u shpreh Shala.

/Prishtinapress/

Exit mobile version