Asamblisti i LDK-së në Komunën e Prishtinës, Flamur Shala, ka thënë se në vitin 2016, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar fiks 154,942.64 euro për karburante.
“Nëse merret çmimi mesatar prej 1€ për litër të karburantit, del se janë shpenzuar 154,942.64 litra. Nëse shpenzimi mesatar i një veture është 10 l në 100 km, del se me këtë sasi karburanti mund të kalohen 1,549,420 kilometra. Për 250 ditë pune gjatë vitit, del se çdo ditë janë kaluar nga 6,197.68 km me veturat e komunës”, ka përllogaritur kështu Shala.
Ka thënë se duke pasur parasysh që nga 58 veturat e komunës, 50 janë operacionale del se çdo veturë ka kaluar nga 123.95 km në ditë.
“Edhe po të supozohet se çdo veturë në ditë pune kalon nga 50km, del se shpenzimi mesatar i karburantit do të ishte 24.8 l në 100 km. Së bashku me shpenzimet e mirëmbajtjes, regjistrimit e qiramarrjes, komuna ka shpenzuar 263,948.06 euro për 50 veturat e saja në vitin 2016, prej nga del që çdo veturë i ka kushtuar nga 5278.96 euro buxhetit komunal për vitin 2016”, ka thënë Shala.
Ka folur edhe për veturat me qira.
“11 veturat me qira për vitin 2016 i kushtuan Komunës 51.154.50 €, rrumbullak 7 vetura të reja (DACIA, të njëjta si të qirasë). Veturat me qira (11 sish), kryetari të mos i nxjerr në shesh, se kanë shpenzime, e mund të dalë edhe vetura e 8-të”.