Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka shpjeguar se në rastet kur bazuar në kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale gjykata lëshon urdhër për kontroll të shtëpisë apo personit, nuk është fare relevante fakti nëse provat e sekuestruara përmes të cilave synohet provimi i veprës penale janë ose jo të klasifikuara.
Klasifikimi i dokumenteve ka qëllime të tjera, të cilat nuk mund të kufizojnë zhvillimin e procedurës penale.
Provat e sekuestruara me rastin e kontrollit apo bastisjes nga ana e Policisë, sipas Gzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, mund të konsiderohen të papranueshme vetëm nëse janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me urdhrin e gjykatës.
Në anën tjetër, neni 111 i Kodit të Procedurës Penale ka listuar sendet që nuk mund të sekuestrohen përkohësisht. Në këtë listë, normalisht, nuk bëjnë pjesë dokumentet e klasifikuara.
Shala thotë se deklarimi i Rozeta Hajdarit se Policia, edhe me urdhër të Gjykatës, nuk ka të drejtë që të marrë si prova dokumentet e klasifikuara është absurd.
“Nëse do të ishte kështu, secili ministër do të klasifikonte dosjet me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale. Në situata të tilla, do të ishte e pamundur që të zhvillohej një hetim në një dikaster të caktuar ministror. Normalisht, këtë logjikë nuk e ndjekë as legjislacioni penal në Kosovë, sikurse legjislacionet e shteteve të tjera bashkëkohore”, ka thënë Shala nga IKD.
Sot, Rozeta Hajdari, ka thënë se policia kundërligjshëm ka marrë dokumentet e rezervës shtetërore, duke e rrezikuar sigurinë kombëtare.
Ndërkohë, Ministrja s’ka fare certifikatë të sigurisë.
Aksioni i Policisë dhe Prokurorisë ka nisur sot në orën 6 të mëngjesit në dy lokacione.
E Ministria që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari i ka mirëpritur hetimet e Prokurorisë Speciale për rezervën shtetërore dhe u ka bërë thirrje organeve të hetuesisë të mos cenojnë sigurinë kombëtare gjatë hetimeve.
Edhe Vjosa Osmani, Presidente e Republikës, ka thënë se duhet pritur përfundimin e punës së organeve të drejtësisë lidhur me arrestimet e sotme të tre të dyshuarve për përfshirje në dallavere me rezervat shtetërore.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se tre të arrestuarit e sotëm – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – janë ndaluar për 48 orë derisa është paralajmëruar se do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Bastisjet janë zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga gazeta “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit./BetimipërDrejtësi